
Partia e kryeministrit Kurti, e ka bërë të qartë se kërkesa për shpërndarjen e Kuvendit do të pranohet vetëm nëse bëhet në ‘unison’ nga të gjitha partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK.
Prej kohësh në Kosovë po flitet për mundësin e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Përplasja e kryeministrit Albin Kurti, me Ndërkombëtarët lidhur me dialogun me Serbinë, ka ngritur prej kohësh në këmbë opozitën e cila mendon se mund të bëjë më mirë në këtë drejtim dhe kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Por pavarësisht gatishmërisë së mazhorancës për të shkuar në zgjedhje, ende nuk po arrihet një dakordësi mes palëve për kushtet. Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për shpërndarjen e Kuvendit, që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Në partinë më të madhe opozitare, PDK, thonë se shpërndarja e Kuvendit është zgjidhja më e mundshme në rrethanat aktuale politike, ndërkaq LDK dhe AAK këmbëngulin se zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin vetëm përmes dorëheqjes apo shkarkimit të qeverisë Kurti.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku thotë se do të vazhojnë përpjekjet për të bindur LDK-në dhe AAK-në që të mbështesin idenë e shpërndarjes së Kuvendit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Ajo thekson se nuk kanë shtiza për opozitën, por synojnë të unifikohen për ta dërguar vendin sa më shpejtë në zgjedhje.
“Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi para se të takohet me kryeministrin Kurti është takuar edhe me kryetarin e LDK-së dhe AAK-së. Ne do të vazhdojmë përpjekjet dhe kjo do të jetë një agjendë e jona e përbashkët, pasi ne të gjithë po pajtohemi se kjo qeveri është e gabuar dhe vendi nuk është në drejtimin e duhur. Mënyra e vetme për t’i dhënë Kosovës një alternativë të re është duke shkuar në zgjedhje dhe duke i fituar ato. Ne nuk kemi shtiza për kolegët tanë në opozitë, ne duam që bashkërisht të kemi një mocion përmes së cilit bëhet shpërndarja e Kuvendit”, tha Vlora Çitaku për “KosovaPress”.
Mirëpo, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thekson se në zgjedhje të parakohshme shkohet vetëm nëse Kurti jep dorëheqje apo shkarkohet. Ajo nënvizon se deputetët e partisë së Lumir Abdixhikut nuk do të votojnë për një gjë të tillë në Kuvend.
“Ne presim dorëheqjen e kryeministrit Kurti, pastaj të shkohet në zgjedhje. Nuk votojmë dhe nuk bëjmë pazare me asnjë parti politike. Kryeministri Kurti duhet të jap dorëheqje për atë që i ka bërë Kosovës. Është prishur me të gjithë aleatët ndërkombëtarë, keni pa edhe me ata të rajonit që s’ka asnjë koordinim. Presim që sa më shpejtë të jep dorëheqje. Ju e dini që Kosova 24 vjet pas luftës ka masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian”, tha Rrezarta Krasniqi, LDK.
Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se megjithëse janë në opozitë kanë qëndrime të ndryshme politike me PDK-në dhe LDK-në.
“Secila jemi parti në veti dhe kemi rezonojmë në formën që ne dëshirojmë me pas. Aleanca ka qenë e para që ka kërkuar mocion mosbesimi për qeverinë dhe jo shpërndarjen e Kuvendit. Ne ende qëndrojmë në atë. Nuk është e drejtë që të shpërndahet Kuvendi, ndërkaq të ngelet qeveria e cila ka performancën më të keqe të mundshme dhe që i ka sjell dëme më të mëdha Kosovës”, theksoi Time Kadriaj.
Partia e kryeministrit Kurti, e ka bërë të qartë se kërkesa për shpërndarjen e Kuvendit do të pranohet vetëm nëse bëhet në ‘unison’ nga të gjitha partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK.
Kjo mosmarrëveshje mes tre partive opozitare duket se po shtyn procesion e dërgimit të Kosovës në zgjedhje të parakohshme. Kujtojmë se kjo kërkesë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, vjen në një kohë tepër delikate të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ku përveç Asociacionit janë shtuar dhe çështje të tjera si ajo për dinarin serb dhe mbyllja e bankave serbe në veri të vendit./Pamfleti
Lini një Përgjigje