
Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka nisur përgatitja e skenës për fjalime gjatë protestës në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një numër i madh qytetarësh tashmë janë nisur drejt Prishtinës për të kundërshtuar gjykimin e padrejtë të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe një pjesë e tyre tashmë ka nisur të mbushë sheshet “Nënë Tereza” e “Skënderbeu”.
“Kundër padrejtësisë! Në mbrojtje të UÇK-së dhe së vërtetës”, është motoja e protestës.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Ata akuzohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim.
Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon. Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë.
Protesta organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në shenjë pakënaqësie me punën e Speciales, për mungesë transparence dhe pas konfirmimit se kanë pranuar si dëshmi edhe dokumente të autoriteteve serbe.
Lini një Përgjigje