Kosova duhet të adoptojë një qasje më pragmatike dhe strategjike për të mbrojtur interesat e saj, dhe për të shmangur izolimin e mëtejshëm diplomatik...
Pushtimi rus i Ukrainës, ndryshoi jo vetëm rendin global, por edhe trajektoren e marrëdhënieve ndërkombëtare. Stabiliteti i Evropës u shkatërrua më 24 shkurt 2022, teksa ky akt agresioni ringjalli frikën e zgjerimit të konfliktit, veçanërisht në rajone me sovranitet të brishtë siç është Ballkani.
Rusia është përpjekur të ndërhyjë dhe destabilizojë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nxitur konfliktin përmes përfaqësuesve të saj serbë. Megjithatë, këto përpjekje kanë qenë në përgjithësi të pasuksesshme.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në këtë rajon janë intensifikuar lufta hibride, retorika nxitëse dhe përhapja e narrativave anti-perëndimore. Në veçanti, Kosova ka qenë një objektiv i shpeshtë i fushatave ruse të keqinformimit, sidomos në kundërpërgjigje të përpjekjeve të qeverisë së saj për të siguruar sovranitetin edhe në Mitrovicën Veriore.
Konflikti i ripërtërirë në Evropë, e ka bërë të nevojshme bërjen e një zgjedhjeje përfundimtare në rreshtimin me Lindjen apo me Perëndimin. Shumica e vendeve evropiane, janë rreshtuar pa mëdyshje me Ukrainën dhe vlerat demokratike perëndimore, ashtu si edhe Kosova.
Megjithatë, Serbia mbetet ende një përjashtim. Pavarësisht përmendjes së herëpashershme të vlerave pro-perëndimore dhe demokratike nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiç, Beogradi vazhdon të zbatojë politika që përputhen me interesat e Moskës, duke nxitur paqëndrueshmërinë në Ballkan.
Më 20 janar, Donald Trump mori presidencën e Shteteve të Bashkuara, me shumë premtime, ku ndër të tjera përfshihet edhe dhënia fund e luftërave aktuale në botë brenda javëve të para të mandatit të tij. Ndërsa rendi ndërkombëtar po pëson një transformim të madh, po ripërcaktohet edhe politika e jashtme amerikane ndaj Evropës.
Ky peizazh i pasigurt, paraqet sfida të paparashikueshme për Kosovën, sidomos për shkak se SHBA-ja është duke e rikalibruar qasjen e saj ndaj zgjidhjes së konflikteve globale. Ndërkohë, Kosova përballet me sfida të brendshme, përfshirë vonesat në formimin e qeverisë së re për shkak të vështirësive teknike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Peizazhi politik aktual kërkon kompromise, të cilat partitë duket se nuk dëshirojnë t’i pranojnë, duke e penguar potencialisht Kosovën që të mbajë të njëjtin ritëm me zhvillimet e fundit gjeopolitike. 2025-a duhet të jetë një vit i veprimeve të shpejta dhe vendimtare.
Teksa politika e jashtme, është një nga pikat më të dobëta të Kosovës, vendi duhet të rivlerësojë me urgjencë qasjen e tij. Gabimet e bëra në sjelljen ndaj administratës së Joe Biden nuk mund të zhbëhen tani që Donald Trump është rikthyer në detyrë.
Ndërsa Trump angazhohet në negociata me Putinin për luftën në Ukrainë, Kosova duhet të përgatitet për vendime të bujshme, disa prej të cilave mund të mos jenë në favor të saj. Një tregues i hershëm i një ndryshimi në politikën amerikane është letra e Trump drejtuar Vuçiç në Ditën e Shtetësisë së Serbisë, në të cilën ai shpreh dëshirën për të forcuar partneritetin SHBA-Serbi.
Në këtë korrespondencë mungoi përmendja e Kosovës, gjë që përbën një distancim të madh nga pozicionet e mëparshme të SHBA-së. Për më tepër, duket se janë anashkaluar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj integritetit territorial të Kosovës.
Ky ndryshim i tonit diplomatik, mund të parathotë pasoja të rëndësishme për Kosovën në të ardhmen e afërt. Duke pasur parasysh këtë kontekst gjeopolitik në zhvillim, Kosova duhet të ndryshojë kursin nga qasja e qeverisë së mëparshme.
Veprime si ndryshimi i rregulloreve të targave, ndalimi i qarkullimit të dinarit serb dhe mbyllja e institucioneve paralele të drejtuara nga serbët, sollën sanksionet e BE-së dhe një ftohje të marrëdhënieve me SHBA-në.
Këto lëvizje, u konsideruan të papritura nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Thirrjet nga SHBA-ja dhe BE për uljen e tensioneve, u injoruan në përgjithësi nga qeveria e Albin Kurtit. Përkundër këtyre paralajmërimeve, qeveria kishte planifikuar edhe hapjen e ‘Urës së Ibrit’ në prag të fushatës elektorale.
Në atë kohë, ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier, paralajmëroi se një veprim i tillë mund të rrezikonte jetën e ushtarëv amerikanë. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR), i cili kontrollin kalimin në urë, sinjalizoi gatishmërinë e tij për të ndërhyrë nëse rrezikohet siguria.
Qëndrimi konfrontues i kryeministrit Albin Kurtit ndaj SHBA-së ,ka pasur pasoja të dëmshme, sidomos duke pasur parasysh se liria dhe demokracia e Kosovës janë ndërtuar mbi një partneritet të fortë me Uashingtonin.
Prandaj qeveria e re e Kosovës, duhet të ripërcaktojë plotësisht qasjen e saj ndaj marrëdhënieve me SHBA-në, pasi vendi e gjen sot veten në pozitën e tij më të pasigurt që nga shpallja e pavarësisë.
Hapat e gabuara të viteve të fundit, mund të çojnë deri në një rivlerësim të pranisë amerikane në KFOR, apo në imponimin e një marrëveshjeje të tipit “merre ose lëre” me Serbinë, të diktuar nga Uashingtoni. Veprimet e fundit të SHBA-së tregojnë një mosrespektim të hapur ndaj normave ndërkombëtare.
Dhe Trump ka treguar shumë pak prirje për ta përfshirë Evropën në negociatat kryesore. Qasja e tij ndaj zgjidhjes së konfliktit të Ukrainës, qëndrimi i tij për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza për të ndërtuar “Rivierën e Lindjes së Mesme” dhe politika të tjera, sugjerojnë se Serbia mund të shfaqet si një lojtare më e fortë nëse negociatat Trump-Putin vazhdojnë në një drejtim të caktuar.
Në këtë peizazh në ndryshim të vazhdueshëm, Kosova duhet të veprojë me shumë kujdes në raport me politikat amerikane, duke e ditur se nuk gëzon më të njëjtën vëmendje në Uashington. Kosova ka nisur tashmë të ndjejë pasojat e vendimeve të Trump, përfshirë mbylljen e operacioneve të USAID-it në vend.
USAID ka investuar mbi 1 miliardë dollarë në zhvillimin e Kosovës, veçanërisht në qeverisje, zbatimin e ligjit, siguri dhe llogaridhënie. Tërheqja e një mbështetjeje të tillë, sinjalizon një ndryshim më të gjerë në prioritetet e SHBA-së.
Për më tepër, Kosova dhe Serbia nënshkruan në vitin 2020 një marrëveshje në Uashington gjatë mandatit të parë të Trump. Nga dispozitat e saj, është zbatuar vetëm njohja e Kosovës nga Izraeli si shtet i pavarur. Në tërësi, ka pasur pak vullnet politik për t’i afruar të dyja palët.
Ky ngërç, i shoqëruar me ndryshimin e erërave gjeopolitike, sugjeron se Kosova duhet të adoptojë një qasje më pragmatike dhe strategjike për të mbrojtur interesat e saj, dhe për të shmangur izolimin e mëtejshëm diplomatik./Pamfleti nga “Robert Lansing Institute”
Lini një Përgjigje