
Rreth 2 milionë qytetarë në Kosovë votojnë ditën e sotme për kryeministrin e ri.
Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote sot, më 9 shkurt 2025 i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre për një mandat katërvjeçar.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa sipas të dhënave numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ku votues të rinj janë 125 mijë.
Në garë janë 28 subjekte politike. Kandidatë për kryeministër janë katër, ndërsa 1280 persona kandidojnë për deputetë. Në këtë zgjedhje, me ndryshimet që janë bërë në Ligjin për Zgjedhje mund të votohen deri në 10 kandidatë për deputetë.
Ndër subjektet më të mëdha politike që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosja VV e udhëhequr nga Albin Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, Partia Demokratike e Kosovës PDK me kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamza dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Qendrat e votimeve janë të hapura nga ora 07:00 të mëngjesit deri 19:00 në mbrëmje.
Janë 941 qendra të votimit, prej të cilave 903 për votim të rregullt – me 2 mijë e 533 vendvotime dhe 38 qendra të votimit me kusht (nga një për çdo komunë) me 56 vendvotime.
Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, në ditën e zgjedhjeve në vendvotime do të numërohet pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike, ndërkaq një ditë pas, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit – votat për kandidatë për deputetë.
Këtë zgjedhje parlamentare që janë të 9-t e Kosovës së pavarur, pritet të jetë një test kyç për Kryeministrin Albin Kurti, pasi partia e tij qeverisëse fitoi me një shumicë dërrmuese katër vjet më parë.
Ndërkohë dje (8 shkurt) procesi i votimit u zhvillua edhe jashtë Kosovës, ku diaspora votoj në Ambasada. Gjithsejt, sipas KQZ-së, të drejtë vote patën 105 mijë bashkëatdhetarë.
Të drejtën e votës e shfrytëzuan, mbi 50 përqind e votuesve. Votën e tyre e hodhën edhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë./ Pamfleti
Lini një Përgjigje