
Policia e Kosovës ka kryer 3 bastisje në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.
Operacioni ndërlidhet me sulmin terrorist të dirigjuar nga Beogradi më 24 shtator. Lajmi është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, duke shtuar se nuk ka persona të arrestuar gjatë këtyre bastisjeve.
Sipas tij, Policia ka zhvilluar kontrolle në tri lokacione të ndryshme në komunën e Zveçanit dhe atë të Mitrovicës së Veriut.
“E konfirmojmë se janë tri bastisje në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut. Nuk ka të arrestuar dhe nuk dihet se çka është konfiskuar”, ka thënë Elshani.
Më 24 shtator, një grup i armatosur sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.
Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues. Kosova ka fajësuar për këtë sulm që e cilëson terrorist Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.
Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiçit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të incizuara me dron ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës më 24 shtator.
Pas sulmit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila kërkon një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Brukseli.
Në BE po ashtu disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.
Lini një Përgjigje