Të dërguarit e SHBA dhe BE, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak kanë paralajmëruar destabilim të të gjithë rajonit nëse nuk qetësohet situata në veri të Kosovës. Ata do të raportojnë sot në Uashington mbi atë që po ndodh në raporte mes Kosovës dhe Serbisë, teksa kanë qenë të ftuar në një intervistë te Ilva Tare.
Gabriel Escobar, tha se ata i kanë mbështetur zgjedhjet në veri dhe i kanë njohur rezultatet e zgjedhjeve. Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk mund t’i marrë me forcë komunat e veriut.
“Ata duhen ta pranojnë marrëveshjen evropiane. E kanë pranuar planin, nuk ka zgjidhje tjetër. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar në këtë drejtim”, ka thënë Escobar.
Ndërsa Miroslav Lajçak, ka thënë se në veri ka pasur persona që kanë qenë të armatosur dhe të gatshëm për të vrarë. Kjo sipas tij duhet të ndalet, duke shtuar se të gjithë duhet të jetojnë së bashku dhe jo të sillen kriminelët në veri.
“Nuk ka afat për zgjedhje të reja dhe e tëra varet nga vullneti politik. Ka procedura kushtetuese që duhet të plotësohen. Askush nuk do të promovojë zgjidhje që është jashtëkushtetuese, por deri tani nuk ka pasur vullnet për ta zgjidhur këtë çështje”, ka thënë ai.
Më tej ata kanë thënë se është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë, BE-së dhe SHBA-së që menjëherë të lirohen tre policët kosovarë, të rrëmbyer nga Serbia. Ata kanë refuzuar të japin ultimatume se deri kur duhet të lirohen policët, por kanë thënë se kërkojnë që kjo të ndodhë menjëherë.
“Ne themi menjëherë. Pozicioni ynë është se nëse janë kidnapuar apo kanë hyrë gabimisht në territorin e Serbisë, s’e kanë pasur këtë qëllim. Ata duhet të kthehen. Jam shumë i shqetësuar, pasi mund të shndërrohet në një konflikt rajonal”, ka thënë Escobar në “Atlantic Council” të martën.
Lini një Përgjigje