
Një super-laborator i falsifikimit të dokumenteve u zbulua në Prishtinë mbrëmjen e sotme, njoftoi Policia e Kosovës.
Në këtë laborator prodhoheshin dokumente false nga 51 shtete të botës, përfshi edhe poasaportat, karta identiteti e patenta drejtimi.
Më 24 janar, Policia ndaloi një automjet në Prishtinë, ku gjeti dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës.

“Shoferi me inicialet (F.K.) u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas hetimeve intensive, Policia zbuloi një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë.

“Në bastisje u sekuestruan dëshmi relevante, makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës”.
Ky rast po hetohet si “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar” nga Prokuroria Speciale.


Lini një Përgjigje