
Mbi 600 mijë euro është dëmi që Prokuroria pretendon se dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, dhe biznesmen Ridvan Muharremi ia kanë shkaktuar buxhetit të shtetit të destinuara për rezerva shtetërore.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KOHA, të dyshuarit kanë sjellë 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar e grurit, ndërsa vaj e sheqer nuk kanë sjellë fare. Në dokument theksohet se vlera e dëmit të pretenduar është 601 mijë e 940 euro.
Në dosje Lipovica e Gara akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat zyrtare duke lejuar anashkalimin e procedurës së hapur të prokurimit publik. Aty thuhet se Lipovica ka anashkaluar anëtarët e tjerë të Komisionit për Negocimin e Kontratave duke ia mundësuar biznesmenit Muharremi të luajë rolin e ndërmjetësuesit mes ministrisë dhe operatorit ekonomik nga Turqia. Në dosje theksohet se ishte nënshkruar kontrata për blerje të 10 mijë tonëve nga Turqia për 4.834.778 euro dhe më pas ishte nënshkruar një kontratë për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer në sasi 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, për 276 mijë euro. Prokuroria ka shprehur pretendimin se është paguar 100 për qind avanci, por se sasia nuk ka ardhur e plotë.
Lini një Përgjigje