
Ka dështuar për herë të 20 përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosja nuk arrin sërish të sigurojë numrin e nevojshëm të votave për zgjedhjen e Albulena Haxhiut në postin e Kryeparlamentares.
Donika Gërvalla nga koalicioni LVV-Guxo-Alternativa, tha se bllokada institucionale e dëmton imazhin e vendit.
“Kuvendi po bllokon vetveten dhe natyrisht që kjo situatë lë shije të keqe tek miqtë e Kosovës, por edhe tek ata që na duan më së pakti”, tha Gërvalla për mediat.
Ajo theksoi se kjo është një situatë e papranueshme që kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe “reagim racional të deputetëve të opozitës”.
“Beteja politike bëhet për zgjedhje të Qeverisë, e jo për një temë që është e vetëkuptueshme”, tha Gërvalla.
Në vijim ajo i drejtoi një thirrje deputetëve që të votojnë për zhbllokim.
“Është e drejtë e tyre të votojnë ‘kundër’ e të abstenojnë. Do të duhej urgjentisht, brenda 48 orësh të zhbllokohet kjo situatë, e më pas i mbetet Albin Kurtit të marrë përgjegjësinë për formimin e Qeverisë dhe të fillojnë afatet”, shtoi ajo.
Ndërsa, për deklaratën e deputetes Duda Balje se ka marrë ofertë që mund të bëhet profesoreshë në Maqedoni të Veriut si këmbim për të votuar Albulena Haxhiun për Kryeparlamentare, Gërvalla tha se nuk ka informacion.
“Nuk kam asnjë informacion për këtë, por i bëj thirrje Baljes dhe Hoxhës që të votojnë. Nuk jemi në pazar. Nuk di për pazare të kësaj natyre”, tha ajo.
Gërvalla deklaroi se të gjithë janë të një mendjeje që një parti me tre deputetë – duke e pasur fjalën për Nismën – nuk mund ta marrë pozitën e dytë në shtet.
Sipas saj, nëse Limaj është i gatshëm për bashkëpunim, jemi edhe ne. “Nuk ka pazar, por bashkëpunim parimor”, tha ajo.
Lini një Përgjigje