
Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka njoftuar se BE-ja ka filluar procesin e heqjes graduale të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës që nga qershori i vitit 2023.
Këto masa u imponuan për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës dhe veprimeve të konsideruara të pakoordinuara nga qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Gjatë një konference shtypi për mediat në Prishtinë, Kallas theksoi se heqja e masave do të jetë graduale dhe e kushtëzuar nga përparimi i Kosovës në uljen e tensioneve në veri dhe angazhimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Dialogu Kosovë-Serbi mbetet kyç për stabilitetin dhe rrugën evropiane të rajonit. Heqja graduale e masave tregon përkushtimin tonë për të mbështetur Kosovën dhe bashkëpunimin rajonal,” deklaroi Kallas.
Masat ndëshkuese, të cilat përfshinin pezullimin e fondeve të BE-së, ngrirjen e takimeve të nivelit të lartë dhe kufizimin e vizitave bilaterale, kanë ndikuar ndjeshëm në ekonominë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës. Sipas burimeve diplomatike, shumica e vendeve anëtare të BE-së mbështesin heqjen e masave, por disa shtete, si Franca, Italia, Sllovakia dhe Hungaria, insistojnë në një qasje të kujdesshme, të lidhur me kushte të qarta.
Qeveria e Kosovës ka pohuar se ka përmbushur kërkesat e BE-së, duke përfshirë organizimin e referendumit në katër komunat veriore dhe uljen e pranisë policore në atë zonë. Megjithatë, BE-ja vlerëson se përparimi i mëtejshëm në dialogun Kosovë-Serbi dhe shtensionimi i plotë në veri janë thelbësorë për heqjen e plotë të masave.
Procesi i heqjes graduale të masave pritet të diskutohet më tej në takimet e ardhshme të Këshillit të BE-së, ku do të vlerësohen hapat e Kosovës dhe përparimi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Lini një Përgjigje