
Kurti dhe Vuçiç nuk i besojnë njëri-tjetrit. Asnjëri nuk dëshiron të jetë i pari që angazhohet në marrëveshje pa garanci se tjetri do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë...
Udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës janë ftuar të takohen me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian të enjten për t'u përpjekur t'u japin frymë bisedimeve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve të tyre, në një kohë kur liderët e bllokut 27-vendesh mblidhen në Bruksel për një samit dy-ditor.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk pritet të takohen ballë për ballë, por qëllimi është që të shtyhen përpara me "propozime dhe ide" të reja të përhapura në bisedimet eksploruese fundjavën e kaluar, tha Peter Stano, zëdhënës i shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Frika është e lartë për një rifillim të dhunës që ka karakterizuar lidhjet e tyre që kur Kosova u shkëput në mënyrë të njëanshme nga Serbia në vitin 2008. Beogradi nuk e ka njohur kurrë këtë masë. BE, përmes Borrell-it, ka mbikëqyrur një "dialog" mes tyre për t'i kthyer gjërat në rrugën e duhur.
Takimet, nëse vazhdojnë, mund të jenë një hap i rëndësishëm përpara, pasi rreth 30 persona të armatosur serbë kaluan në veri të Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një oficer policie dhe vendosi barrikada përpara se të niste një betejë disa orëshe me armë me policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë një oficer police dhe dy terroristë serb.
Përveç diskutimeve me Borrellin dhe të dërguarin special të BE-së në rajon, Miroslav Lajçak, Kurti dhe Vuçiç mund të zhvillojnë bisedime me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Stano tha se BE pret "veprim të shpejtë nga palët për të treguar se janë të përkushtuara për të vazhduar procesin e normalizimit - duke përmbushur detyrimet e tyre përkatëse të dialogut ... si dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara - pa parakushte apo vonesa".
Shtetet e Bashkuara dhe BE duan që Kosova dhe Serbia të zbatojnë një plan prej 10 pikash të paraqitur nga Borrell në shkurt për t'i dhënë fund krizave politike disamujore. Kurti dhe Vuçiç dhanë miratimin e tyre në atë kohë, por me disa rezerva. Stano nënvizoi se bisedimet eksploruese në rajon gjatë fundjavës kishin për qëllim vetëm gjetjen e një mënyre për ta vënë në fuqi atë marrëveshje dhe se “nuk ka asnjë qëllim për ta zëvendësuar atë.”
Kurti dhe Vuçiç nuk i besojnë njëri-tjetrit. Asnjëri nuk dëshiron të jetë i pari që angazhohet pa garanci se tjetri do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.
BE-ja dhe SHBA-ja po i bëjnë presion Kosovës që të lejojë krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe për të koordinuar punën për arsimin, kujdesin shëndetësor, planifikimin e tokës dhe zhvillimin ekonomik në komunitetet e Kosovës veriore të populluara kryesisht nga serbët etnikë.
Kurti ka frikë se ky do të ishte një hap drejt krijimit të një mini-shteti serb me autonomi të gjerë.
Në një draft të deklaratës së tyre të samitit, të parë nga Associated Press, liderët e BE-së thanë se ishin "thellësisht të shqetësuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës" dhe paralajmëruan se "dështimi për të ulur tensionet do të ketë pasoja".
Nuk u dhanë detaje rreth veprimeve që mund të ndërmerren. Udhëheqësit shprehën gjithashtu keqardhjen që Serbia dhe Kosova kanë bërë pak përparim në zbatimin e marrëveshjes së tyre ose në përmbushjen e angazhimeve të tyre dhe u bënë thirrje të dyve "t'i zbatojnë ato, pa vonesë ose parakushtet.”
Ata paralajmëruan se dialogu i normalizimit është një pjesë thelbësore e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për t'u bashkuar me BE-në dhe se "të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit"./Përshtati “Pamfleti” nga “The Washington Post”.
Lini një Përgjigje