Një aksident i rëndë ka ndodhur në Kosovë, duke lënë të plagosur afro 30 persona. Një autobus me nxënës është përplasur me një kamion në aksin Prishtinë-Pejë, duke bërë që të dëmtohen nxënësit që udhëtonin me të.
Mësohet se autobusi i përket kompanisë “Graniti Trans” nga Presheva. Ai ishte duke u kthyer nga Shqipëria, pasi nxënësit e një shkolle në Presheve kishin zhvilluar një ekskursion. Por gjatë kthimit ai është përplasur me një kamion, duke marrë dëme të shumta.

Lidhur me aksidenti reagoi edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, i cili ka njoftuar se në aksident 30 persona kanë pësuar lëndime, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekipet mjekësore.
“Në ora 15:50, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Vragoli). Në aksident është përfshirë një autobus me targa të huaja dhe një kamion me targa vendore. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vend-ngjarje. Si pasojë e aksidentit 30 persona që kanë pësuar lëndime. Janë njoftuar edhe ekipet mjekësore. Më pas do t’u ofrojmë të dhëna të përditësuara lidhur me aksidentin”, ka deklaruar Bajram Krasniqi.
Sipas asaj që shihet në foto, autobusi është përplasur fillimisht me një kamion, më pas ka përfunduar tek bordura mbrojtëse. Aty është përplasur dhe me një tjetër veturë.
Deri më tani raportohet se nxënësit kanë marrë dëmtime të lehta dhe nuk kanë pasur asgjë serioze. Policia nga ana e saj ka nisur hetimet për të zbuluar se kush ishte shkaktar i aksidentit.

Lini një Përgjigje