
Ish-kryeministri, Sali Berisha teksa prezantoi kandidatin e tij për Beratin, Zija Ismaili, nuk hezitoi të sulmonte kandidaturat e PS për kryetar bashkie për zgjedhjet e 14 majit, emrat e të cilëve u bënë publik një ditë më parë.
Berisha u shpreh se kandidatët e “rilindjes” disa u emëruan me dajak, ndërsa në disa zona të tjera me hekura në duar. Ai shtoi se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve socialistë ishte një proces mafioz dhe antidemokratik.
“Dolën mbrëmë dhe pas orës 1 të natës nga shpella e rilindjes. Diku diku u emëruan me dajak, në zona të tjera me hekura në duar. Ky ishte procesi i emërimeve në partinë shtet. Ky ishte procesi me mafioz, më antidemokratik në historinë e Shqipërisë. Kjo është një kopje e shëmtuar e emërimeve që bënte Enver Hoxha në Byronë Politike. Unë e pyes këtu, Ervin Demon, cilët qytetarë të Beratit janë pyetur për ri kandidimin tënd? Ervin, çfarë të shtyu ty të injorosh të gjithë formimin akademik dhe të bëhesh protagonist të mafies më të rrezikshme shtetërore të Evropës”, tha Berisha
Berisha u ndal edhe këtë herë të skandalit me McGonigal, duke thënë se e ish-agjenti u pagua nga Rama për të shkatërruan opozitën.
“Rama krahas këtyre do mbetet në histori, i skenarit më makabër, i skenarit të asgjësimit të opozitës. McGonigal përdori fuqinë e institucionit të tij duke tradhtuar vendin e tij, i paguar nga Rama për të shkatërruar opozitën. Kjo nuk u ndal me kaq. Njëlloj si etërit e tij, ai përveç McGonigalëve futi në xhep drejtues të opozitës, përsëri si vrasës me pagesë, i angazhoi ata në një proces gjyqësor që nuk e njeh bota. I shpalli palë pa qenë palë dhe tre ditë para hapjes së procesit i mori të gjitha, vulën, simbolin partisë tuaj me qëllimin e vetëm që mos të hyjë në zgjedhje, sepse ai ka frikë dhe është i sigurt se 14 maji është disfata e tij e thellë”, deklaroi ish-kryeministri.
Lini një Përgjigje