
Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ-së, u shpreh se jashtë territorit të Shqipërisë jetojnë 1.1 mln shqiptarë me të drejtë vote.
E ndërsa procesi i regjistrimit të emigrantëve si votues për zgjedhjet e 11 majit ka nisur 5 ditë më parë, Celibashi në emisionin ‘Opinion’ në Tv Klan tha se deri më tani kanë ardhur mbi 22 mijë kërkesa nga diaspora për votim në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Celibashi theksoi se procesi i regjistrimit zgjat 7-8 minuta.
“Janë 53% e atyre, të cilët kanë krijuar llogari në PER, e kanë realizuar në tentativën e tyre të parë. Kjo është mbresëlënëse për ne”, tha Celibashi.
Teksa tregon etapat si të krijosh një llogari për votim jashtë vendit, kryekomisioni i KQZ-së, Celibashi thotë se nuk votojnë dot ata emigrantë që nuk kanë një dokument identifikimi shqiptar.
Ilirjan Celibashi: Fillimisht duhet hapur një llogari në PER, të deklarosh një numër telefoni, të ngarkosh numrin e ID, datëlindjen. Kështu krijon llogarinë në PER. Numri personal i identifikimit shqiptar. Për qëllime të regjistrimit, ai duhet të ngarkojë dokumentin e identifikimit shqiptar. Nuk regjistrohet dot si votues nëse nuk ka një dokument identifikimi shqiptar.
Blendi Fevziu: Ata emigrantë shqiptarë me dokumenta të huaja që nuk kanë dokument ID nuk votojnë dot?
Ilirjan Celibashi: Jo nuk votojnë dot. Nëse e ke të skaduar, mund të regjistrohesh, por gjatë 120 ditëve duhet ta rinovosh dokumentin. Gjithashtu do të duhet të ngarkosh një dokument që përmban adresën që do të ngarkosh në sistem. Nëse është në punë, një dokument pune, një dokument pronësie, një kontratë qiraje. Duhet të deklarosh adresën ku pret të vijë fleta e votimit. Gabimi që ka bërë një shumicë dërrmuese është se kanë deklaruar një adresë, por dokumenti që kanë ngarkuar ka një adresë tjetër.
Celibashi tregon se si mund të votojnë emigrantët e paligjshëm shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Ilirjan Celibashi: Mund të jetë me një emër tjetër, por duhet të regjistrohet me emër që është këtu në gjendjen civile. Duhet të ngarkojë një dokument që të bëjë lidhjen mes emrit që ka në gjendjen civile në Shqipëri dhe atë në shtetin tjetër. Kur ndryshon emrin, duhet të ngarkojë një dokument provues.
Lini një Përgjigje