Sondazhet e fundit tregojnë se çështja e migracionit të parregullt, ka rënë në renditjen e prioriteteve të qytetarëve të BE-së. E djathta ekstreme fiton për arsye që shtrihen shumë përtej çështjes së emigrantëve. Nga ana tjetër, mbetet problemi se kush do t’i vjelë ullinjtë në vendet e bllokut.
Marrëveshja e arritur në mesin e javës së kaluar në Këshillin Evropian mbi politikën e migracionit, shënon një ndryshim të rëndësishëm në ekuilibrat e brendshëm të BE-së, ku linja e kryeministres italiane Giorgia Melonit është bërë rryma e re kryesore.
Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të bllokut, janë zotuar që të punojnë mbi “mënyrat e reja” të menaxhimit të flukseve migratore. Megjithatë të dhënat tregojnë se nuk ka një “pushtim” për shkak të hyrjeve të parregullta. Për më tepër, shumica e ideve të diskutuara janë të pazbatueshme, joefektive, ligjërisht të brishta, apo që nuk arrijnë të adresojnë realitetin demografik.
“Kush do t’i mbledhë ullinjtë tanë?”- pyeti kolegët e tij dhe drejtuesit e BE-së kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis. Në vazhdën e marrëveshjes midis Italisë dhe Shqipërisë mbi pritjen e emigrantëve në 2 qendra deri në momentin e shqyrtimit të kërkesës për azil, në BE ka pasur një lulëzim të ideve të vjetra dhe të reja për të dëbuar jo vetëm emigrantët e parregullt por edhe azilkërkuesit.
Kështu po flitet për krijimin e “qendrave të kthimit” (më saktë të qendrave të dëbimit) në vendet e treta; për direktivën e re mbi riatdhesimet për të anuluar garancitë aktuale për emigrantët; për rishikimin e konceptit të vendit të tretë të sigurt, në mënyrë që të dëbohen në vendet tranzit edhe ata që kanë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare.
Por të gjitha “zgjidhjet inovative” të diskutuara në Këshillin Evropian kanë problemet e tyre. Entuziazmi për marrëveshjen Itali-Shqipëri, u zbeh që në momentin kur liderët analizuan me vëmendje detajet e mekanizmit:shumë rreziqe ligjore për 1 mijë emigrantë që në fund, edhe nëse kanë të drejtën e azilit, mund të transportohen sërish në Itali.
“Qendrat e kthimit” janë kritikuar haptazi si joefektive nga kryeministri belg Alexander De Croo. Rishikimi i konceptit mbi vendet e treta të sigurta për të dëbuar refugjatët në një vend transit, kërkon pëlqimin e vendit në fjalë. Përpjekjet e mëparshme në vitin 2018, për të ngritur platforma zbarkimi apo vatra të nxehta, u ndeshën me refuzimin e Tunizisë dhe vendeve të tjera për të ri-pranuar emigrantë të kombësive të tjera.
Mitsotakis është një udhëheqës konservator, anëtar i Partisë Popullore Evropiane. Ai flet me dy standarde, në varësi të audiencës së tij vendase ose ndërkombëtare. Gjatë një interviste për Financial Times të enjten e shkuar, ai shprehu dyshime mbi mundësinë e përsëritjes së marrëveshjes midis Italisë dhe Shqipërisë.
Dhe me pyetjen se kush do të mbledhë ullinjtë në Greqi, ai u rikujtoi homologëve sfidën demografike me të cilën përballet BE:për ruajtjen e produktivitetit, ne kemi nevojë për emigrantë, të aftë apo të pakualifikuar, madje për shumë prej tyre.
“Nëse duam të ndërtojmë një mur të madh, atëherë do të na duhet edhe një derë e madhe”- paralajmëroi kryeministri grek. Vetë Mitsotakis, është shprehur më herët i interesuar për “qendrat e kthimit”. I kërkuar nga rreth 15 vende të bllokut, ky koncept mbështetet nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfshin dërgimin e migrantëve që janë dëbuar, por që nuk mund të riatdhesohen në vendin e tyre të origjinës, në qendrat e strehimit të ngritura në vendet e treta.
Por “qendrat e kthimit” paraqesin disa probleme ligjore, praktike dhe politike. Këtë e kupton edhe vetë Von der Leyen. “Mbi këtë çështje ka ende shumë pikëpyetje:Sa kohë mund të qëndrojnë njerëzit atje? Çfarë të bëjmë nëse nuk është i mundur riatdhesimi?”- tha Von der Leyen.
Shifrat janë në fakt shumë të kufizuara, krahasuar me 400 mijë emigrantë në vit që marrin urdhrin për t’u larguar nga territori i BE-së. Nuk ka shumë vende të treta (ndoshta asnjë) kandidate për të pritur “qendrat e kthimit”. Holanda ka njoftuar nisjen e diskutimeve me Ugandën, ku mund të dërgohen emigrantët në pritje të riatdhesimit.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i kujtoi kryeministrit holandez, Dick Schoof, se kjo do të ishte si “një pikë në oqean”. Ministri i Jashtëm i Ugandës, Okello Oryem, reagoi duke kujtuar se vendi i tij nuk dëbon refugjatë dhe se aktualisht ka 1.6 milionë të tillë, kryesisht nga Sudani.
Paradoksi i emergjencës së emigrantëve në Këshillin Evropian, është se të dhënat zyrtare të BE-së nuk tregojnë ndonjë krizë. Jemi larg milionave apo më shumë hyrjeve të parregullta të vitit 2015. Sipas Frontex, në 9 muajt e parë të këtij viti, rënia ishte 42 për qind krahasuar me vitin 2023.
Komisioni e pranoi se më shumë se 2/3 e miliona azilkërkuesve - ata që rëndojnë më shumë mbi sistemet sociale kombëtare - hynë rregullisht në BE, me vizë ose falë regjimit “pa viza”.
Holandezi Schoof e pranoi para mbledhjes së Këshillit Evropian, se kjo është një “krizë e perceptuar”.
Emergjenca është tërësisht politike:ashpërsimi i politikave të migracionit nga BE, është kundërpërgjigja e nxituar ndaj rritjes së ekstremit të djathtë në sondazhe apo procese zgjedhore.
“Politika është emocion. Dhe nuk ka dyshim se emigracioni është një temë e përdorur, e keqpërdorur dhe e shfrytëzuar. Në rast se ne nuk jemi në gjendje të tregojmë se po e rimarrim kontrollin e situatës, atëherë do t’i lëmë të gjithë ata brenda apo jashtë unionit që ta përdorin migracionin për ta destabilizuar BE-në”- e pranon një nga anëtarët e Këshillit Evropian.
Megjithatë, sondazhet e fundit tregojnë se çështja e migracionit të parregullt, ka rënë në renditjen e prioriteteve të qytetarëve të BE-së. E djathta ekstreme fiton për arsye që shtrihen shumë përtej çështjes së emigrantëve. Nga ana tjetër, mbetet problemi se kush do t’i vjelë ullinjtë në vendet e bllokut./Përshtati Pamfleti nga “Il Foglio”
Lini një Përgjigje