Përveçse me një parlament të ri, vjeshta do të vijë edhe me një tjetër garë elektorale për partitë politike.
Berati, Tepelena dhe Mati, që mbetën pa kryetar për shkak se kandidatët për bashki garuan për deputet, do të zgjedhin kryetarin e ri në një garë që mund të zhvillohet duke filluar nga shtatori.
“Tre bashkitë të cilat janë në garë në bazë të tërheqjes së kryetarëve të bashkive, Bashkia e Matit, Beratit dhe Tepelenës, pa dyshim janë në planet organizative të Partisë Socialiste. Shkojmë për t’i fituar të treja bashkitë. Kemi filluar, të paktën në Mat, përzgjedhjen e kandidaturave për rifreskimin e gjithë strukturës sonë elektorale, dhe besoj edhe Berati e Tepelena,” tha Blendi Klosi, Sekretar i Përgjithshëm i PS-së.
Po në shtator, PS pritet të mbledhë forumet për të vijuar me ndryshimet në strukturat e partisë.
“Shtatori, si gjithmonë, ka qenë momenti kur, së bashku me grupin e ri parlamentar, së bashku me qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, do të analizohen, gjykohen dhe do të vlerësohen të gjitha forumet e Partisë Socialiste.”, tha Klosi.
Sa i përket Tiranës dhe mundësisë për të zhvilluar zgjedhje për kryetar të ri, PS ende nuk ka një vendimmarrje. Ndërkohë, për Erion Veliajn pritet vendimi i Gjykatës së Lartë.
Lini një Përgjigje