TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Korrik 2025, 17:44

Ultimatumi i Ramës, vijojnë dorëheqjet në Bashkitë socialiste; kryebashkiakët e PD ‘rezistojnë’

Shkruar nga Pamfleti

Ultimatumi i Ramës, vijojnë dorëheqjet në Bashkitë

Në të gjitha bashkitë ku kryebashkiakët janë socialistë vijojnë largimet e nënkryetarëve, administratorëve apo drejtuesve të institucioneve që janë në varësi të Bashkive.

Kështu pas Vlorës, Durrësit, Korçës, Elbasanit, Kolonjës, Kukësit, që tashmë janë konfirmuar dorëheqjet e zyrtarëve lokalë, vala e ndryshimit ka ndërritur në Qarkun e Shkodrës. Me përjashtim të dy bashkive, Pukës dhe Fushë Arrëzit që drejtohen nga demokratët, në 3 bashkitë e tjera, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Shkodër, priten lëvizje.

Kështu nga raportimet, ditën e sotme, në Malësinë e Madhe janë dorëhequr nënkryetarët dhe administratorët e njësive që përfshin kjo Bashki.

Gjithashtu në Bashkinë e Shkodrës ka nisur një mbledhje me dyer të mbyllura ku gjithashtu priten ndryshime, në vijim të urdhrave të dhëna nga Kryeministri, ndërsa ditën e martë, një tjetër mbledhje pritet në Bashkinë e Vaut të Dejës.

Urdhëri i Ramës synon një ndryshim rrënjësor të drejtuesve në njësitë vendore, ku me përjashtim të Kryebashkiakëve, çdo pozicion tjetër është i prekshëm.

Fillimisht Rama kërkoi ndryshimin e drejtorëve dhe furtuna nisi nga Vlora për t’u zhvendosur pastaj në çdo qark. Më pas rradhën e kishin administratorët e emëruar nga kryebashkiakët dhe në fund u kërkua rifreskimi i nënkryetarëve të Bashkive, të cilët Kryeministri i cilësoi si të përgjumur.

“Është e domosdoshme dhe nënkryetarët është mirë të ndryshojnë. Sepse i shoh shumë të lodhur, shumë shumë të lodhur, i shoh të rraskapitur. I shoh të rraskapitur. Juve s’ndryshoni dot. Edhe dy vjet, edhe dy vjet keni, si të doni”, iu drejtua Rama kryebashkiakëve.

Pavarësisht ndonjë kundërshtie në rradhët e PS-së ndaj këtij urdhëri, ajo që po ndodh dita ditës janë dorëheqjet e zyrtarëve.

Ajo që po ndodh deri më tani është vlerësimi i performacës së çdo drejtuesi lokal nga kryebashkiakët dhe në përputhje me këtë vlerësim mund të vijojë të mbajë pozicionin ose të largohet. Deri më tani është zgjedhur rruga e dorëheqjeve, pra drejtuesit pavarësisht pozicioneve i janë lënë hapësira për t’u vetëlarguar, ndoshta duke shpresuar në një rikthim në një kohë të dytë ose marrjen e pozicioneve të reja.

Gjatë ditës së sotme, kreu demokrat, Sali Berisha i ka drejtuar një thirrje kryebashkiakëve që përfaqësojnë PD-në që t’i binden vetëm ligjit dhe Kushtetutës dhe jo urdhërave të Edi Ramës, që konsiderohen si politikë. Kjo ka bërë që në njësitë vendore që kontrollohen nga opozita të mos ketë largime në asnjë nivel.  Nuk dihet se sa kohë mund të zgjasë kjo lloj rezistence e kryebashkiakëve demokratë, por edhe në takimin e zhvilluar me Edi Ramën, ky I fundit duket se I përjashtoi nga ‘urdhëri’ të zgjedhurit e PD-së.

 

Lini një Përgjigje