TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Qershor 2024, 14:16

Trump vs Biden, nesër debati që mund të ndryshojë gjithçka

Shkruar nga Gerard Baker

 

Trump vs Biden, nesër debati që mund të ndryshojë
Trump dhe Biden /

Debati mund t’i ofrojë Donald Trumpit mundësinë për të bërë dy gjëra që do t’i japin fitoren në nëntor: të qëndrojë i arsyeshëm dhe t’i përmbahet rekordit të Biden në detyrë, në kontrast me të tijin. Nëse Trump do t’i rezistojë tundimit për të mos u ndikuar aq shumë nga egoja e tij e plagosur, atëherë ai ka një mundësi të artë për t’u zgjedhur për një mandat të dytë...

Në një kohë kur jemi thellësisht të përfshirë nga ethet e zgjedhjeve presidenciale, ka ende diçka rreth debatit televiziv të kësaj jave që e elektrizon më tej atmosferën. Ndoshta nuk ka pasur asnjë rast në epokën moderne, kur paraqitja në një debat presidencial të ketë pasur kaq shumë rëndësi sa sot.

Ku të ketë pasur një konkurrencë kaq të ngushtë, apo një performanca kaq të paparashikueshme nga ana e kandidatëve. Trajektorja e një fushate të gjatë, rezultati i saj dhe madje identiteti përfundimtar i njërit prej kandidatëve të partisë, mund të varen nga përballja televizive 90-minutëshe mbrëmjen e të enjtes në Atlanta.

A mos po e ekzagjeroj me këtë që them? Ndoshta po. Por ne amerikanët priremi gjithmonë që të mbivlerësojmë rëndësinë e debateve. Që nga debati i parë televiziv presidencial Nixon-Kennedy 64 vjet më parë, është e vështirë të përmendësh një përballje tjetër që e ka ndryshuar  vërtet trajektoren e një fushate zgjedhore.

Edhe kur kandidatët kanë bërë gafa të mëdha, si në rastin e Gerald Ford kur u ngatërrua duke thënë në fushatën e 1976-ës se nuk “ka dominim sovjetik në Evropën Lindore”, apo kur Michael Dukakis përcolli në debatet e vitit 1988 imazhin jo të njeriu por të një makinerie që flet ftohtë, pa emocione, ku u përgjigj ndaj një pyetjeje në lidhje me përdhunimin dhe vrasjen hipotetike të gruas së tij, episode të tilla kanë konfirmuar shpesh drejtimin e vendit, në vend se ta ndryshonin në mënyrë dramatike këtë trajektore.

Por koha e përballjeve të ngushta, identiteti i konkurrentëve dhe mënyra se si garojnë ata, sugjerojnë praninë e mundësive më të rëndësishme sesa ato që kemi parë më herët. Fakti që Joe Biden e propozoi debatin i pari, është dëshmi e pasigurisë së pozicionit të tij.

Ai ka arritur tashmë të heqë dorë nga shumica e mënyrave tradicionale, përmes së cilave një president përgjigjet ndaj publikut për veprimet e tij. Biden ka pasur më pak konferenca shtypi se sa çdo president amerikan në 40 vitet e fundit. Po ashtu, nuk ka dhënë asnjë intervistë me bashkëbiseduesit seriozë, që mund ta sfidojnë atë me pyetje të forta, dhe ka lejuar intervista të kontrolluara vetëm për mediat që e mbështetin.

Disa nga këshilltarët e tij, menduan se ai mund të shpëtonte nga të qenit presidenti i parë në më shumë se 50 vjet, që do të heqë dorë nga formati i debatit të drejtpërdrejtë përpara ofertës së tij për rizgjedhjen në detyrë.

Por situata është bërë aq alarmante për demokratët, saqë zoti Biden dhe drejtuesit e tij kanë llogaritur qartë se ai duhet të luajë një bast - dhe të kalojë 90 minuta në skenë, duke u përpjekur të mbrojë presidencën e tij përpara një elektorati, më shumë se 60 për qind e të e cilëve mendon se është një dështim, dhe kundër një njeriu që po këta votues mendojnë se ka bërë një punë shumë më të mirë kur ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Është një rrezik i madh për çdo president, e lëre më pastaj për zoti Biden, aftësia mendore e të cilit bie akoma më shumë kur vihet nën presion. Edhe presidentet në detyrë që në fund fituan rizgjedhjen, kanë ngecur në debatet televizive. Kështu ndodhi me Roland Reagan në debatin e tij të parë me Walter Mondale në vitin 1984, dhe në përballjen që Barack Obama pati me Mitt Romney në vitin 2012.

Koha e rrit edhe më shumë rrezikun për zotin Biden. Planifikimi i debatit disa javë përpara se ai të emërohet zyrtarisht nga Konventa Kombëtare e Partisë Demokratike, i lë një kohë shumë të gjatë mbështetësve të tij aktualë që të mund të distancohen prej tij.

Përkundër gjithë kësaj, Joe Biden ka disa avantazhe. Zgjedhja e prezantuesit dhe moderatorëve u bë e tillë që të kufizojë shfaqjen e anëve më negative të presidentit. Gjatë 8 viteve të fundit, CNN ka qenë një mediat kryesore pjesë e lëvizjes së rezistencës kundër Donald Trump.

Fakti që dy nga anëtarët e tyre kryesorë të Gardës Pretoriane në mediat pranë zotit Biden, do të bëjnë “modelimin” e debatit të se enjtes, nuk është premtues për ata që kërkojnë një neutralitet gazetaresk. Është njëlloj si të kesh një prokuror demokrat që ndjek penalisht një kandidat republikan në një qytet miqësor ndaj demokratëve dhe përpara një gjyqtari që ankohet.

Ekipi i Biden mund të presë ndoshta që nëse situata bëhet e vështirë për të, dyshja e CNN të ndërhyjë për ta shpëtuar nga sikleti, siç bëri ish-kolegia e tyre Candy Crowley në vitin 2012 kur presidenti Obama kishte nevojë për ndihmë në debatin ndaj Mitt Romney.

Për më tepër, pritshmëritë janë ulur në një nivel të tillë, sa që zotit Biden mund t’i duhet vetëm të mbetet “gjallë”, ose paktën zgjuar gjatë gjithë debatit 90-minutësh. Rregullat mund të jenë krijuar për të mbrojtur më tej presidentin aktual, por ato mund të japin edhe efektin e kundërt. Mbyllja e mikrofonit kur flet kandidati tjetër, nuk do ta pengojë Donald Trump të vazhdojë të flasë duke ndërhyrë tek përgjigjet e zotit Biden. Ne si audiencë nuk do t’i dëgjojmë fjalët e tij, por Joe Biden mund të ndiejë dëshirën për t’u kundërpërgjigjur. Dhe duke iu përgjigjur diçkaje që audienca nuk mund ta dëgjojë, presidenti mund të shfaqet edhe më i hutuar.

Mbi të gjitha, debati mund t’i ofrojë Donald Trumpit mundësinë për të bërë dy gjëra që do t’i japin fitoren në nëntor: të qëndrojë i arsyeshëm dhe t’i përmbahet rekordit të Biden në detyrë, në kontrast me të tijin. Nëse Trump do t’i rezistojë tundimit për të mos u ndikuar aq shumë nga egoja e tij e plagosur, atëherë ai ka një mundësi të artë për t’u zgjedhur për një mandat të dytë./Përshtati Pamfleti nga “Wall Street Journal”

trump biden debati presidencial

Lini një Përgjigje