Ish-kryetarja e Kuvendit dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka reaguar me forcë pas vendimit të shumicës për përjashtimin e gati gjithë grupit parlamentar të opozitës deri në dy muaj nga punimet e Kuvendit.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo ka publikuar dy video që kujtojnë incidentet e rënda të shkaktuara nga Partia Socialiste kur ishte në opozitë; njëra përpara hyrjes së Shqipërisë në NATO dhe tjetra gjatë ndryshimit të një neni në Rregulloren e Kuvendit.
Topalli përshkruan se si gjatë kohës që drejtonte Kuvendin, socialistët krijuan kaos të përditshëm në seancë. “I binin bilbilave për dy muaj rresht, fyenin, shkulnin kompjuterë, bllokonin ministrat dhe rrembenin mikrofonin”, shkruan ajo. Megjithatë, ajo thekson se kurrë nuk mbylli Parlamentin dhe se përjashtimet ishin minimale: vetëm 2–3 deputetë dhe për periudha të shkurtra.
Në kontrast me atë kohë, Topalli akuzon mazhorancën aktuale për dhunë institucionale. “Sot, përballë skandaleve të paimagjinueshme, nga biznesmenë të rrëmbyer për tendera të paracaktuar, te rrugë që shemben nga korrupsioni, shumica zgjedh të përjashtojë opozitën për të mbyllur gojën”, thekson ajo. Sipas saj, kjo nuk është më një çështje rregulloreje, por një goditje e drejtpërdrejtë ndaj pluralizmit.
“Heqja e mandateve të opozitës është forma më brutale e dhunës politike kundër pluralizmit dhe votës së qytetarëve”, përfundon reagimin e saj Topalli, duke lënë të kuptohet se po vendoset një precedent i rrezikshëm për demokracinë parlamentare në vend.
Lini një Përgjigje