TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Qershor 2024, 13:12

Thomas Piketty: Makronizmi ka rënë, gara zgjedhore në Francë është midis të majtës dhe të djathtës

Shkruar nga Stefano Montefiori

Thomas Piketty: Makronizmi ka rënë, gara zgjedhore në

Paris - E majta e bashkuar e nisi sërish rrugëtimin e saj nga Montreuil, qyteza e “Brezit të Kuq” në periferi të Parisit, ku në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2022 mori 63 për qind të votave. Mbrëmjen e të dielës në Sheshin Jean Jaurès përballë bashkisë, u zhvillua tubimi i parë i Frontit të Ri Popullor. Përpara se të dilte dhe të fliste në skenë, ekonomisti i famshëm francez Thomas Piketty, iu përgjigj disa pyetjeve mbi atë çfarë pritet të ndodhë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Pse vendosët të mbështesni Frontin e Ri Popullor të së majtës?

Sepse këtë herë zgjedhjet do të jenë një përballje midis bllokut të krahut të djathtë të mbledhur rreth Tubimit kombëtar, me mbështetjen edhe të Républicains (e djathta tradicionale) dhe Reconquête (partia e Éric Zemmour), dhe bllokut të krahut të majtë që bashkon të gjitha partitë e majta dhe ambientaliste (socialistë, komunistë, ekologë).

Blloku liberal makronist, i cili u paraqit si centrist, kishte një bazë sociale shumë të ngushtë për të qeverisur vendin në një mënyrë të qëndrueshme. Ky bllok është shembur tashmë, duke i hapur rrugën një bipolarizmi të ri majtas-djathtas.

Dhe çfarë i karakterizon këto dy blloqe?

Blloku i krahut të djathtë, po bëhet gjithnjë e më shumë nacional-liberal. Përveç themeleve të tij etnocentrike, anti-islamike dhe kundër emigrantëve, që nuk i lejon njerëzit të votojnë për ligjet financiare dhe të qeverisin vendin, tani premtojnë një qasje anti-taksë dhe anti-sociale, e ilustruar kjo nga aleanca tashmë e konfirmuar midis Jordan Bardella të Tubuimit Kombëtar, Éric Ciotti (kreu i Républicains) dhe Marion Maréchal e Reconquêt (Çlirimi).

Nga ana tjetër, Fronti i Ri Popullor propozon një platformë të drejtësisë sociale dhe fiskale si dhe investimeve të mëdha në shtetin e mirëqenies ekologjike. Unë e mbështes pa hezitim këtë koalicion, pasi ai po e përgatit shumë më mirë të ardhmen e vendit sesa blloku i djathtë.

Në librin e fundit të botuar së fundi në Itali, “Një histori e konfliktit politik”, shkruar së bashku me gruan tuaj Julia Cagé, përshkruani braktisjen e botës rurale nga e majta, por jeni optimistë sepse identifikoheni arsyet pse është e mundur të rifitohet në perspektivë mbështetja e saj. Tani që kanë mbetur vetëm 10 ditë deri në raundin e parë, a është kjo diçka e realizueshme?

Sigurisht, blloku i majtë nuk mund të përmbysë gjithçka në një palë zgjedhje. Aq më tepër që ndarja territoriale, u thellua edhe më shumë gjatë votimit për Parlamentin Evropian më 9 qershor. Por është absolutisht brenda mundësive tona të dalim përpara bllokut të krahut të djathtë dhe të kemi një shumicë relative.

Vite më parë keni shpikur termin “e majta brahmine dhe e djathta merkantile”, duke aluduar për një të majtë tashmë të izoluar tek kasta intelektuale. A është ky një koncept që e shohim edhe këto kohë? Për shembull tek fakti që Jordan Bardella, më pak i suksesshëm se kundërshtarët e tij, dhe që hasi jo pak vështirësi në duelet televizive, fitoi gjithsesi duke dalë i pari në zgjedhje?

Është e vërtetë, por pavarësisht nga origjina e saj, ne nuk duhet të harrojmë se e majta ka një bazë popullore të qëndrueshme në botën urbane.

A mendoni se ky bashkim i së majtës heterogjene, që shkon nga ish-presidenti François Hollande dhe socialdemokrati Raphawl Glucksmann në të majtën ekstreme të Jean-Luc Mélenchon, mund të ketë sukses në këto zgjedhje?

Po, mendoj se po. E majta ka kontradiktat e saj, por në fund të fundit është shumë më koherente se blloku nacional-liberal, që do të binte sapo të vinte në pushtet. Thënë këtë, ne mund t’ia kursejmë vetes eksperimentin, dhe unë jam i bindur se shumë votues të Tubimit Kombëtar e dinë mirë këtë. Mendoj se në këto zgjedhje ata do të distancohen nga TK pikërisht për kthesën e saj liberale dhe antisociale.

Kundërshtarët tuaj janë shumë kritikë ndaj programit ekonomik të Frontit të Ri Popullor, duke e konsideruar atë të paqëndrueshëm për një vend që ka tashmë shumë borxhe si Franca. Çfarë mendoni ju?

Sigurisht që ky është një program i qëndrueshëm. Pasi premton të investojë më shumë në trajnimin e burimeve njerëzore dhe tranzicionin energjetik, të cilat janë çelësat e së ardhmes.

A keni frikë nga një reagim negativ nga tregjet ndërkombëtare, nëse Fronti i Ri Popullor do të fitonte në këto zgjedhje?

Është e sigurt që tregjet do të preferonin ta mbanin përgjithmonë në pushtet Macron, pa zhvilluar më zgjedhje. Por ata duhet të kuptojnë se kjo gjë nuk është e mundur, dhe se blloku i majtë është më i përgatitur për të ardhmen sesa blloku nacionalisto-liberal./Përshtati Pamfleti nga “Corriere della Sera”

makronizmi thomas piketty franca e djathta e majta

Lini një Përgjigje