Silvia Albano, ka vulosur me dispozitat ligjore paralizimin e një marrëveshje kulisash mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit...
Ka një rastësi të dukshme me një gjyqtare të Romës që rrëzon me vendime të saj çdo dërgesë emigrantësh që sjell në Shëngjin, qeveria e Giorgia Melonit.
Ajo quhet Silvia Albano, mbiemri i së cilës nuk është thjesht një metaforë, por një realitet që tregon se Italia nuk është pronë e Giorgia Melonit dhe as Shqipëria nuk është pronë e Edi Ramës.
Silvia Albano, ka vulosur me dispozitat ligjore paralizimin e një marrëveshje kulisash mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit.
Marrëveshje, që në thelb të saj është një pakt që synonte të krijojë një precedent evropian. Një precedent turpërues që rrëzoi qeverinë konservatore të Britanisë së Madhe, pasi deportoi emigrantët në Ruanda.
Siç po e ndjekin në detaje edhe mediat italiane, i gjithë operacioni i qendrës së Gjadrit, është një logjikë artificiale që gëlltit miliona pa përfituar asgjë. Ky është një akt i pastër politik për t’i dhënë Melonit një kauzë elektorale që shet, siç është ajo e emigracionit, si dhe Edi Ramës një patericë perëndimore, pikërisht në momentin e izolimit të tij.
Vendimi i Silvia Albanos, në çdo dërgesë emigrantësh me pikatore në Gjadër, madje dhe dërgimi si pikë fundore në Strasburg, rrëzon të gjithë operacionin. Pas këtyre vendimeve Meloni është në një stuhi politike që sipas gjasave do të marrë një kosto të madhe, e cila po shihet ditë pas dite në Itali. Rezistenca e Melonit, është thjesht një inerci për të mbijetuar vetëm tek militantët e ekstremit të djathtë. Kurse koston e vërtetë e merr Shqipëria, si një vend pa lidhje që bëhet strehë për një projekt politik jashtë çdo logjike ligjore dhe humanitare.
Sot Edi Rama ka aleatë vetëm Melonin dhe Orbanin, ndërkohë që të gjithë liderët e së majtës i kanë vënë vizën. Madje ka edhe një shkresë zyrtare në Partinë Socialiste Evropiane që kërkon largimin e socialistëve shqiptarë nga organizmi që atyre duhet t’i takojë.
E në momentin kur Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut të ratifikojë vendimet e Gjykatës së Romës, pra të Silvia Albanos, Edi Rama është më i rrëzuar se Giorgia Meloni.
Mbijetesa e tij mund të jetë inerci, qoftë edhe si pasojë e problematikës së opozitës aktuale. Por inerci që do të bllokojë rrugën evropiane të Shqipërisë në BE. Sidomos pas vendimit të Gjykatës Europiane, të cilin e ka adresuar Silvia Albano në vendimin e fundit. Këtu do të jetë realisht fundi politik i Edi Ramës. Kur Strasburgu, sipas të gjitha gjasave do ta vulosë marrëveshjen Rama-Meloni si shkelje e të drejtave të njeriut./Pamfleti
Lini një Përgjigje