TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Tetor 2024, 08:11

Shqipëria hap sot negociatat për grup-kapitullin e parë, Rama në Luksemburg: Do ta bëjmë gati Shqipërinë për në BE brenda 2030

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria hap sot negociatat për grup-kapitullin e parë, Rama

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg ku edhe do të zhvillohet Konferenca e dytë Ndërqeveritare me BE për të hapur grup-kapitujt e parë të anëtarësimit në union.

 Në një deklaratë për gazetarët, Rama tha se Shqipëria do të jetë gati për në BE brenda vitit 2030.

Më tej Rama tha se Shqipëria është e vendosur për të qenë pjesë e BE-së dhe po ecim me ide të qarta, vullnet të mirë dhe të fortë për të arritur atë që duam.

“Shpresojmë që të përfundojmë me axhendën tonë ambicioze këtë proces të negociatave dhe mendojmë që Shqipëria do të ulet e barabartë në tavolinën e shteteve anëtare të BE.

Ne jemi të përgatitur dhe të përkushtuar ndaj angazhimeve të BE që nga dita e parë e ndryshimit në demokraci, ne kemi qenë Koreja e Veriut në mes të Europës. Unë shikoj që ka një ndryshim në qasjen e BE-së në vëmendje ndaj vendeve tona sa i përket zgjerimit, nuk e kemi humbur asnjëherë shpresën dhe besimin te BE sepse Europa dhe BE është i vetmi vend ku ne mund të jetojmë dhe gjenerata tjetër e shqiptarëve. Është e vetmja hapësirë ku ne mund të gjejmë liritë e njeriut, për shtetin ligjor. Ky moment është shumë i veçantë, mund të them faleminderit Vladimir Putin i cili me agresionin ndaj Ukrainës bindi dhe vendet më skeptike të BE që në realitet shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të domosdoshme për BE ashtu siç edhe BE është i domosdoshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi në të njëjtën anije tashmë. Ne do të ecim drejt Bashkimit Europian më të sigurt.

Ne jemi shumë të qartë se për t’u bërë shtet anëtar i BE nuk duhet të mbështetemi vetëm në ndjenjat apo qasjen pozitive të forcave që ekzistojnë brenda BE, por në realitetin faktik të shteteve kandidate për të garantuar që jeta e përditshme e qytetarëve bazohet në atë që shkruhet në Kushtetutë dhe janë detyrat e shtëpisë që na udhëheqin në këtë proces. Ne po mendojmë se po ecim shpejt dhe po ngjitemi në këtë rrugë të vështirë me synimin e qartë, me ide të qarta dhe pa asnjë ngurrim që të realizojmë ato angazhime që kërkohen nga BE për një kohë të shkurtër”, tha Rama.

Takimi do të nisë në orën 08:00 dhe do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, vend i cili mban Presidencën e radhës së BE-së. Pas takimit rreth orës 09:25 pritet një konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó.

Shqipëria do të përfaqësohet në këtë konferencë nga Kryeministri Edi Rama, Kryenegociatorja Majlina Dhuka si dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Në tryezë për palët shqiptare do të jenë dhe të gjithë zv/ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen ditën e nesërme, te njohura si “Themeloret”.

Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grupkapitullin 1, që përfshin fushat dhe kapitujt e negociatave si:

Funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike

Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore

Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria

Kriteret ekonomike

Kapitulli 5 – Prokurimi publik

Kapitulli 18 – Statistikat

Kapitulli 32 – Kontrolli financiar

rama luksemburg shqiperia be

Lini një Përgjigje