
Meta i mbylli derën Berishës, apo vendosën bashkë ta shembin “Shtëpinë e Lirisë”?
Lajmi që dha sot Partia e Lirisë se është regjistruar në Komisionin Qendror për zgjedhjet vendore të datës 14 Maj, si subjekt zgjedhor më vete, pikërisht një ditë para vendimit të Gjykatës së Apelit për pronësinë e vulës së Partisë Demokratike midis Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës, si edhe 24 orë përpara “revolucionit” nesër më 3 mars, në pamje të parë, u duk sikur, me këtë veprim, Ilir Meta i mbylli derën e koalicionit Berishës...
Por, po ta shikosh me kujdes, kupton që nuk është ashtu dhe ka një tjetër shpjegim:
Në fakt, ky vendim, që Partia e Lirisë të regjistrohet si subjekt zgjedhor më vete u mor dje paradite më 1 mars. Ilir Meta shkoi dhe e bisedoi me Sali Berishën në një nga zyrat e SHQUP-it dhe aty, gjithçka është vendosur në dakordësi të plotë mes tyre, për të mbyllur përfundimisht mundësinë e një koalicioni mes LRI-së dhe Foltores së Berishës.
Nuk dihet se kush e ka kërkuar, Meta apo Berisha, por ka gjasë që propozimin, që 3 marsi ta gjejë të prishur koalicionin e dikurshëm mes PL-së dhe Foltores, të pagëzuar si “Shtëpia e Lirisë”, ta ketë hedhur i pari Sali Berisha.
Sidoqoftë e kushdo qoftë propozuesi, rëndësi ka mesazhi i qartë që del nga ky vendim:
Duke prishur paraprakisht mundësinë e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” pikërisht një ditë përpara vendimit të Gjykatës së Apelit për pronësinë e vulës së PD-së, Sali Berisha duket sikur u thotë tre gjyqtarëve se (por në fakt e ka vetëm me ndjekësit e tij dhe Ilir Metën), pa vulën e PD-së nuk do të hyjë në zgjedhje dhe, si rrjedhim, zgjidhja e vetme për të mbetet “revolucioni” i ca njerëzve tashmë “të pastrehë”.
Lini një Përgjigje