
Ndërkombëtarët, në draftin e tyre, pritet të sjellin një ultimatum të prerë për të ndaluar një veprim të njëanshëm të mazhorancës me vota të kontrabanduara nga opozita...
Pas deklaratave të forta të SHBA dhe BE, në lidhje me komisionin që ka ngritur mazhoranca për të ndërhyrë tek reforma në Drejtësi, ndërkombëtarët kanë nisur të veprojnë.
Siç mësohet, po përgatitet një draft i përbashkët, ku do të orientohet rruga që duhet të ndjekë Kuvendi.
Burimet tona theksojnë se, drafti do të ketë një frenim të qartë që në fillim, për të ndaluar zbutjen ligjore të krimeve kundër korrupsionit.
Një nga idetë e para të mazhorancës, për të cilën është folur shpesh edhe publikisht është vepra penale të Shpërdorimit të Detyrës.
Për këtë ka disa ide, njëra prej të cilave dhe më drastikja është që të hiqet nga juridiksioni i SPAK, ndjekja e kësaj vepre penale. Një tjetër ide është që të përcaktohet më specifikisht kjo çështje, ndërkaq pritet të ndryshohen edhe nene të tjera të Kodit Penal.
Ndërkombëtarët, në draftin e tyre, pritet të sjellin një ultimatum të prerë për të ndaluar një veprim të njëanshëm të mazhorancës me vota të kontrabanduara nga opozita.
Në një deklaratë parardhëse, si SHBA ashtu edhe BE kanë kërkuar që drafti i ri i reformës të jetë “gjithëpërfshirës".
Koncepti “gjithëpërfshirës” është shumë i qartë dhe kërkon që drafti i ri të hartohet përmes një konsultimi të ngushtë me të gjithë institucionet e drejtësisë.
Duke nisur nga SPAK, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Përgjithshme, KLP e KLGJ, Gjykata e Lartë, si dhe Shkolla e Magjistraturës.
Dhe kërkesat apo propozimet e institucioneve të reja të drejtësisë, do të duhet të merren për bazë. SHBA dhe BE kanë marrë përsipër të mbështesin institucionet e drejtësisë, sidomos SPAK me ekspertizë të detajuar në lidhje me përsosjen e reformës në Drejtësi.
E pikërisht në këtë aleancë të ngushtë pritet t’i vendoset ‘kufiri te thana’ mazhorancës, duke ja kufizuar rrezen e veprimit ndaj SPAK.
Drafti që do të përgatisin ndërkombëtarët në bashkëpunim me drejtësinë e re do të synojë një ndryshim të skemës së organizimit gjyqësor, i cili e ka ngadalësuar drejtësinë. Nga ana tjetër, pritet që të shtohet si mundësi ardhja në sistemin e drejtësisë, edhe të magjistratëve që janë diplomuar jashtë vendit, gjë që deri tani kjo është e ndaluar.
Drafti pritet që të prezantohet në një ceremoni të veçantë më 30 korrik, kur është edhe përvjetori i miratimit të reformës në drejtësi, ku mazhorancës do t’i bëhen të qarta vijat e kuqe./Pamfleti
Lini një Përgjigje