Kreu i PD, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se kryeministri Edi Rama rrëzoi studimin e pronave në bregdet të certifikuar nga SHBA për oligarkët e tij.
“Edi Rama, studimin e pronave në bregdet, të bërë me kompani amerikane të certifikuara nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, e ka përmbysur tërësisht, duke u dhënë oligarkëve të vet të gjitha instalimet të përcaktuara si të domosdoshme për forcat detare të Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s”, tha lideri i opozitës Sali Berisha në një konferencë shtypi.
Berisha më tej tha se porti i ri i Durrësit do tu kushtojë shqiptarëve 1.3 miliardë euro.
"Sipas projektit të kompanisë holandeze, porti i ri do të kushtojë 1.3 miliardë euro. Kjo është gjoba më e madhe në histori ndaj shqiptarëve. Ky është një fond i barabartë me rritjen 150 përqind, mos më shumë, të rrogave të shqiptarëve. Ky është një fond i barabartë me rritjen 100 përqind të pensioneve të shqiptarëve. Dhe të gjitha këto vetëm për parajsën e Edi Ramës. Ky është një krim që i tejkalon çdo proporcion. Tenderi i hapur, siç e dini, ishte rreth 400 milionë euro, në një kohë kur pensionistëve, me pensionet më të ulëtat në botë dhe me çmimet më të lartat, unë ftoj mediat t’u tregojnë të vërtetën e çmimeve shqiptarëve krahasuar me Greqinë, Italinë dhe Gjermaninë", tha Berisha.
Lini një Përgjigje