
Komisioni Hetimor Parlamentar i Sterilizimit dhe Check-up zgjati deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes, por nuk arriti të konkludonte me marrjen e dëshmisë së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja.
Shkak u bënë debatet e forta mes maxhorancës dhe opozitës, në lidhje me formën e dëshmisë së Ilir Beqjas, i cili kërkonte ilustrimin me mjete audio-vizive të dëshmisë së tij.
Në incident u shënua në ambientet e komisionit, ku në prfundim të mbledhjes ish-ministri Ilir Beqja u fut në sallë dhe, sipas demokratëve, kërcënoi deputetët e opozitës.
Në atë moment, kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, kërkoi nga policia që Beqja të shoqërohej në polici.
Pas kësaj debati është zhvendosur sot në Kuvend.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka ngritur tonet në foltoren e Kuvendit, ku tha se opozita u kërcënua nga ish-ministri Ilir Beqaj në Komisionin Hetimor.
Zhupa tha gjatë fjalës së saj se Kuvendi duhet të merrte masa për kërcënimet e Beqajt, pasi sipas saj, ka dokumentarë që tregojnë edhe për porositje vrasjesh nga burgjet.
“Ju nuk patët guximin të thoshit një fjalë si kryetare, le më ai kolegu që as e përmendi fare që kërcënohen deputetët në sallën e Kuvendit, me një njeri që na bëka edhe një status për kushtet ç’njerëzore të Kuvendit.
Çfarë kushtesh i keni ofruar ju atij në burg, që i duket Kuvendi ç’njerëzor dhe burgu parajsë. Se kemi parë shumë dokumentarë për trajtime të veçanta dhe për urdhërime vrasjesh nga burgu. Por Beqaj tha ‘zyrat e Kuvendit, ishin kushte ç’njerëzore’ për Beqajn, që vinte nga qelitë e paraburgimit.Dhe vinte e na kërcënonte ne duke na thënë ‘mbylle gojën, qepe ti, ta tregoj unë ty, kush je ti’. Dhe ne duhet të vijojmë këtu normalitetin, pasi nuk kemi siguri në Parlament, pasi juve iu komandon Ilir Beqaj”, tha Zhupa.
Zhupa ka këmbëngulur se pavarësisht gjithçkaje, opozita nuk heq dorë nga hetimi.
“Parlamenti ka rënë. Dje deputetët e opozitës janë kërcënuar ndërkohë që po kryenin funksionet parlamentare. Asnjë dëshmitar, edhe i lirë qoftë ai, nuk lejohet të hyjë në sallën ku zhvillohen mbledhjet pa e thirrur kryetarja e komisionit. Keni 100 gardistë që nuk lejojnë deputetët të hyjnë në sallat ku zhvillohen mbledhje, pa leje apo kur janë të përjashtuar. Policia e burgjeve, Gardistët që duhet të ishin atje nuk e ndalonin dot Ilir Beqajn sepse duke qenë 2 m dhe shok i kryeministrit e ngatërruan me Edi Ramën dhe nuk e ndaluan. Ilir Beqaj i jepte urdhra policisë së burgjeve se çfarë duhet të bënin. Kërcënohen deputetët në sallën e Kuvendit, bëri edhe status për kushtet çnjerëzore në Kuvend. Ne ishim në mëshirë të hajdutit 2 metra. Kam telefonuar komandantin e Gardës për të sjellë gardistët, se një kishin lënë atje. Ne jemi opozita e këtij vendi dhe do të hetojmë doni apo nuk doni ju. S’do bëjmë asnjë hap pas, do na keni përballë dhe në betejë”, tha ajo.
Lini një Përgjigje