TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Shtator 2025, 08:58

Pse Edi Rama po sillet me Erion Veliajn më keq se me Fredi Belerin?

Shkruar nga Pamfleti

 Pse Edi Rama po sillet me Erion Veliajn më keq se me Fredi Belerin?

E gjitha kjo është një arrogancë politike e Edi Ramës, i cili e ka marrë personalisht “rebelimin” e Veliajt.

Edi Rama po i poshtëron këshilltarët socialistë të Tiranës, që të votojnë shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, me pretekstin se nuk është paraqitur me punë.

Vendimi i këshillit bashkiak të Tiranës për të shkarkuar Erion Veliajn është një ‘mashë’ e turpshme, me të cilën Edi Rama kërkon të heqë ‘gështenjën e nxehtë’ nga zjarri.

Pasi vendimi i Këshillit Bashkiak është një alibi juridike që Edi Rama të shkarkojë Veliajn politikisht. Këshilli Bashkiak i Tiranës, nuk ka arsye përse të rrëzojë një kryetar, i cili është zgjedhur me votat e qytetarëve, por që edhe ka kontribuar në zgjedhjen e tij(këshillit).

Rasti penal ndaj Veliajt është një çështje juridike dhe pa u zgjidhur kjo çështje, nuk i takon askujt të vendos përveçse, vetë të zotit të punës.

Përderisa Erion Veliaj, merr përsipër që të marrë barrën e kalvarit gjyqësor duke u shpallur si i pafajshëm ndaj akuzës që i bëhet, asnjë organ politik nuk e ka tagrin, por as edhe moralin që të shprehet.

Jemi në një rast kur një person i votuar më pak se Erion Veliaj, si Sali Berisha, është i pandehur dhe mban funksionin shtetëror të deputetit.

Edi Rama nga ana e tij, rastin Veliaj po e trajton në një standard të dyfishtë dhe krejt pa asnjë moral politik, shtetëror, por edhe njerëzor.

Edi Rama ka pasur disa raste të ngjashme, ku nuk i ka shpallur zgjedhjet e parakohshme vendore. Rasti më i fundit është ai i Fredi Belerit, i arrestuar për korrupsion elektoral, ku zgjedhjet në bashkinë e Himarës u bënë pas dy vjetësh, vetëm pas një vendimi të formës së prerë.

Ndërkaq, me rastin e Vangjush Dakos e Valdrin Pjetrit, ku personat dhanë dorëheqjen vullnetarisht, Edi Rama nuk mori vendimin e duhur të Këshillit të Ministrave për të shpallur vendin vakant, në mënyrë që Presidenti i Republikës, atëherë Ilir Meta, të shpallte zgjedhjet e parakohshme.

Në rastin e Vangjush Dakos, bashkia e Durrësit pësoi një kaos kandidaturash duke u dorëhequr si pasojë e presioneve të klaneve, ndërkohë që në Shkodër, u la në detyrë Voltana Ademi, edhe pse ishte jashtë ligjit në mënyrë flagrante.

Ligjërisht rasti i Erion Veliajt është i zgjidhur qartësisht. Nëse këshilli bashkiak merr vendim për ta shkarkuar dhe i kërkon qeverisë që ta vulosë vendimin, VKM anulohet menjëherë sapo Veliaj ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese.

E gjitha kjo është një arrogancë politike e Edi Ramës, i cili e ka marrë personalisht “rebelimin” e Veliajt.

Që është krejt në kushte të pabarabarta me shefin e tij, pasi ndodhet i mbyllur në paraburgim, madje me rregjim të rreptë.

Ai, kryebashkiaku i Tiranës ka marrë përsipër të bëjë një betejë gjyqësore, të cilën e konsideron dhe morale. Në parim, por edhe nen për nen, kjo betejë nuk dëmton as bashkinë e Tiranës e as Partinë Socialiste. Por vetëm egon e Edi Ramës, i cili konsideron se kush vepron jashtë urdhrave të tij, eliminohet.

Në të vërtetë, ata që eliminohen janë vetëm këshilltarët e bashkisë së Tiranës, të cilët janë përzgjedhur dhe zgjedhur nga Erion Veliaj, nëse ngrenë kartonin për ta shkarkuar.

Pasi, siç ka ndodhur edhe në rastet e tjera, Rama do t’i largojë në rastin më të parë si ‘limonë të shtrydhur’ që nuk kanë dinjitet e moral të mbrojnë shefin e tyre politik. Pasi atë që bëjnë për Veliajn, mund ta bëjnë nesër për çdo kryetar tjetër, apo edhe për vetë Edi Ramën./Pamfleti

edi rama erion veliaj fredi beleri këshilli bashkiak

Lini një Përgjigje