
Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi do të dalin të hënën para gjykatës për verifikimin e masës së sigurisë, me seancën që pritet të mbahet në orën 13:30 në kryeqytet. Ndërsa për ish kryeministrin Sali Berisha të cilit gjithashtu i është vendosur masa “detyrim paraqitje”, ende nuk ka një datë për seancën ndaj tij.
Ata janë vënë nën akuzë për aferën e ish-kompleksit Partizani. Ende nuk dihet se si do të vijojë procesi për Sali Berishën për shkak se mban mandatin e deputetit. Në Gjykatën e Posaçme nuk ka vajtur procesverbali për njoftimin e Berishës nga Oficeri i Policisë Gjyqësore. Ndërkaq, Berisha ka refuzuar takimin me agjentët e policisë së Shtetit të cilët shkuan në selinë e Partisë Demokratike.
Ndërkohë kujtojmë se dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, u arrestua një natë më parë në aeroportin e Rinasit, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat e “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish klubit sportiv partizani.
Gjithashtu SPAK ka caktuar masën “detyrim paraqitje” edhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi, i cili ka shfrytëzuar territoret sportive për kryerje ndërtimesh dhe nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar Malltezit dhënien e përfitimeve të paligjshme në vlerën 5.4 mln euro duke duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.
Kujtojmë se SPAK akuzon Sali Berishën se ka konsumuar vepren penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M., parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
"Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi", thuhej në deklaratën e sotme të SPAK.
Gjithashtu sipas dosjes së SPAK, Malltezi, ka fituar si trashëgimtar i pronarëve një sipërfaqe prej 140 metra katror. Por metrat filluan të shtohen kur Malltezi ka lidhur marëveshje me anëtarët e tjerë të fisit që ishin trashëgimtarë të tokës.
Për çdo marëveshje Malltezi ka kërkuar 3 deri në 5 për qind të sipërfaqes së tokës, që ata gëzonin. Këto marëvedhje për dhurimin e 5 përqind të metrave të pronës, detyrimisht zgjeruan dhe sipërfaqen e tokës për Malltezin./Pamfleti
Lini një Përgjigje