TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Qershor 2025, 13:24

Prapaskenat e pazarit të emërimit të njerëzve të Berishës nga Edi Rama

Shkruar nga Pamfleti

 Prapaskenat e pazarit të emërimit të njerëzve të

Nga resortet e familjarëve në jug te lejet e kullave dhe emërimet në administratë, marrëveshja e fshehtë mes dy rivalëve të vjetër është mekanizmi që mban në këmbë sistemin, për sot dhe për nesër. Shqipëria sipas modelit Erdogan...

Emërimi i ish-kreut të Partisë Demokratike të Vlorës, Genc Deromemaj, si drejtues i Kadastrës, po përpiqet të shitet nga disa media pranë mazhorancës si një tjetër “goditje” ndaj Sali Berishës, në kuadër të përpjekjeve për ta izoluar politikisht.

Por në të vërtetë, akte të tilla nuk e dobësojnë Berishën, përkundrazi, e forcojnë, sepse e ushqejnë me elementin që i ka dhënë jetë: tradhëtarët dhe armiqtë e brendshëm.

Sa herë dikush largohet nga orbita e tij, Berisha e kthen në armë politike. Në mungesë të alternativës, të programit apo të çdo realiteti elektoral, ai jeton politikisht duke prodhuar narrativën e ndarjes, komplotit dhe “pazarit të madh”.

Çdo emërim i tillë, si ai i Deromemajt, i jep oksigjen retorikës së Berishës, që çdo humbje të zgjedhjeve ia faturon “blerjes së opozitarëve”.

Por më tej, kjo nuk është as risi. Emërimi i njerëzve të lidhur me Berishën në administratën e Edi Ramës ka ndodhur dhe ndodh vazhdimisht. Ashtu siç nuk janë të reja as lejet e ndërtimit dhe tenderat e dhënë për familjarët apo njerëzit e afërt të Berishës gjatë pushtetit të Ramës.

Kadastrat janë sot një shpellë e hapur korrupsioni, që vazhdojnë të jenë mekanizmi kryesor për legalizimin dhe përfundimisht pastrimin e grabitjes gjigande të pronës publike, kryesisht në bregdet dhe zonat urbane me vlerë të lartë. Po t’u shkohet pas fijes, në majë të piramidës ku përfundojnë interesat e këtyre pronave janë figura politike të së kaluarës dhe së tashmes, të të dyja kampeve, të cilat i lidh një interes i përbashkët: pushteti përmes pronës dhe pronës përmes pushtetit.

Një pjesë e mirë e zyrtarëve dhe familjarëve të Berishës, përfshirë djalin, nipat dhe njerëz të tjerë janë përfolur me vite për pasuri dhe prona të fshehura në zonat më të lakmuara të jugut. Ndërkohë, një deputet i PD-së, një kolonel i afërt me Berishën, me origjinë nga Vlora dhe i zgjedhur në Fier, ka një superesort turistik përballë vilës qeveritare ku Edi Rama pret miq dhe diplomatë në zonën e Ujit të Ftohtë.

Ky deputet, sipas burimeve, përfiton miliona nga flukset turistike, por nuk figuron në asnjë dokument si pronar real. Askush nuk e kontrollon, nuk e pyet dhe nuk e deklaron, sepse ka urdhër nga lart për ta lënë rehat.

E njëjta logjikë funksionon për lejet e kullave, që përfundojnë në emër të ndërtuesve të lidhur me familjarë të Berishës, për tenderët që marrin kompani të lidhura me strukturat e tij, për financimet mediatike që paguhen nga oligarkët që ditën janë me Ramën dhe natën me Berishën.

Ky pakt i fshehtë mes tyre nuk është i ri. Ka nisur në vitin 2008, me marrëveshjen famëkeqe për ndryshimin e Kushtetutës dhe sistemit zgjedhor, ku lejet e ndërtimit në Parkun e Madh të Liqenit dhe në zonën pranë RTSH-së u kthyen në monedhë shkëmbimi për heshtje dhe bashkëqeverisje në hije.

Marrëveshja u “bekua” edhe me zhvendosjen e zyrave të BE-së në një nga kullat e ndërtuara mbi këtë pazar, ku janë edhe sot; një simbol i betonizimit të pushtetit përtej ideologjive.

Pra, ajo që ndodh sot është një totem strategjik i Ramës dhe Berishës: të mbajnë pushtetet përkatëse me pëlqimin dhe bashkëpunimin e heshtur, që garantohet me leje ndërtimi, prona, koncesione, favore fiskale dhe pozicione të garantuara në administratë.

Një marrëveshje jo për sot, por edhe për nesër, kur vetë Babloku dhe Doktori të mos jenë më në krye, por në vend të tyre të vijnë njerëz të përgatitur nga “stani” i ngushtë, të mbështetur nga tarafë dhe të garantuar familjarisht. Fiks si modeli Erdogan; pushteti si familje, prona si kolateral, dhe kompromisi si sistem./Pamfleti

prapaskenat e pazarit berisha-rama emërimi në administratë

Lini një Përgjigje