TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Qershor 2025, 15:59

Pasi refuzoi t’i jepte mandatin, nisin ftohjet mes Shabanit dhe Lapajt; kreu i “Nismës Thurje” nuk pranon shkrirjen në një parti

Shkruar nga Pamfleti

Pasi refuzoi t’i jepte mandatin, nisin ftohjet mes Shabanit dhe Lapajt;

Pas deklaratës së kreut të “Shqipëria Bëhet”, Adratik Lapaj se “para zgjedhjeve ka pasur një qasje që mund të ndodhë edhe një kohezion, një shkrirje në një”, ka reaguar kreu i “Nismës Thurje” Endrit Shabani.

Shabani pohon se kjo gjë nuk është diskutuar ende, ndërsa shprehet se Adriatik Lapaj është i lirë të rikthehet te ‘Nisma Thurje’, aty ku dhe e ka nisur aktivitetin politik.

“Nisma Thurje ka qenë një organizatë e shoqërisë civile, që e kemi nisur bashkë me zotin Lapaj dhe aktorë të tjerë. Në 2021 ne u themeluam si parti dhe synojmë që të vijojmë si parti politike. Por, padyshim Adriatiku është i lirë në çdo kohë që të rikthehet te Nisma Thurje sepse në fund të fundit kjo është shtëpia e vet”, tha Shabani për "A2 CNN".

Me përfundimin e zgjedhjeve, në vend të shkrirjes së dy partive në një, Shabani mendon se duhet të negociohet për vijimin e bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme si koalicion. Pra, kreu i “Nismës Thurje” ka refuzuar shkrirjen në një parti.

“Koalicioni është ndërtuar për të qenë afatgjatë, por marrëveshja ka qenë deri në 11 maj dhe jemi duke u përpjekur që ta vazhdojmë bashkëpunimin mes Nismës Thurje, Shqipëria Bëhet dhe aktorëve të tjerë për zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh ai.

Një çështje që vijon të mbetet pezull është ndarja e mandatit të Tiranës mes kandidatëve të Nisma Shqipëria Bëhet, por për Shabanin tashmë kjo mund të zgjidhet vetëm nga KQZ: “Është një proces që duhet parë nga KQZ, ne kemi pasur një angazhim që të gjithë ata që kanë qenë në listë të mbyllur do duhet të dorëzojnë dorëheqjet. Gjë që është bërë ditën e zgjedhjeve, janë depozituar në KQZ dhe i mbetet KQZ që të bëjë verifikimin e dokumentacionit e pastaj të kalojë te lista e hapur”.

Lidhur me procesin e rinumërimit të votave në Tiranës që tashmë u përmbyll, kreu i Nisma Thurje thekson se kurrë nuk kanë pasur pretendime se votat mund të vidhen në kuti.

“Kurrë nuk kemi pasur pretendime që votat që janë hedhur për ne të jenë modifikuar në kutinë e votimit. Rinumërimi konfirmoi këtë gjë”, përfundoi ai.

Lini një Përgjigje