Kryeministri Edi Rama pas "suksesit" me naftën në Shpirag, sot ka dalë në një tjetër konferencë shtypi për të folur për turizmin.
Rama e konsideron sezonin turistik të këtij viti si një kthesë historike për Shqipërinë.
Sipas tij vendi tashmë ka hyrë në një fazë të re transformimi për turizmin me synimin që deri në vitin 2030, Shqipëria të bëhet vendi lider për turizëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Këtë vit Shqipëria po përjeton sezonin e një kthese historike që është rezultat i shumë përpjekjesh të bëra në vitet e mëparshme dhe kurorëzim i një faze të re transformimi për turizmin. Sot shohim frytet e para domethënëse në një rrugë që për ne është e përcaktuar si rruga drejt Shqipërisë 2030 ku Shqipëria do të jetë kampione absolute në rajonin tonë për turizmin dhe kur them në rajonin tonë kam parasysh Ballkanin Perëndimor”.
Kreu i qeverisë për numrin e lartë të turistëve që kanë hyrë në Shqipëri deri në këto momente, tha se po i afrohemi Greqisë.
“Shifrat flasin për një sukses të jashtëzakonshëm edhe në aspektin e afrimit thuajse të plotë me Greqinë apo me të tjera vende që janë shumë përpara nesh kur vjen fjala te numri i turistëve për frymë”.
Lini një Përgjigje