
Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta shqyrtojë me dyer të mbyllura marrëveshjen me Italinë për emigrantët.
PD ju drejtua me një kërkesë ku kërkonte që të kishte një seancë publike, por Kushtetuesja ka refuzuar duke bërë me dije se shqyrtimi do të bëhet i mbyllur për publikun.
"Mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim kërkesën tuaj të datës 10.01.2024 me vendimin e ndërmjetëm të datës 11.01.2024 ka vendosur rrëzimin e kërkesës për shqyrtimin e çështjes në seancë plenare publike", njofton Gjykata Kushtetuese.
Në lidhje me vendimin, ka reaguar vetë kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi. Ai ka akuzuar gjykatën për mungesë transparence.
“Transparenca e munguar nga Këshilli i Ministrave gjatë negocimit dhe nënshkrimit të Protokollit për emigrantët me Italinë, duket se vazhdon edhe gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, për sa kohë që publiku dhe mediat nuk kanë mundësi që të njihen me materialet e çështjes dhe të dëgjojnë qëndrimet e palëve, pyetjet e Gjykatës dhe përgjigjet e tyre, si dhe debatin gjyqësor. Gjykata Kushtetuese ka refuzuar të premten kërkesën e Grupit Parlamentar të PD që kërkojë shqyrtimin publik të kësaj çështje. Në përgjigjen e saj, Gjykata Kushtetuese shprehet se mbledhje e gjyqtarëve në datën 11.01.2024 ka vendosur që shqyrtimi të bëhet me dyer të mbyllura”, shprehet Bardhi.
Më 13 dhjetor, mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vlerësoi si të ligjshme kërkesën e 30 deputetëve të opozitës, të drejtuar nga Gazment Bardhi. Në padinë e tyre ata kërkuan pezullimin e miratimit, si hap i parë dhe më pas shfuqizimin si antikushtetues të marrëveshjes Rama-Meloni për pritjen në Shqipëri të emigrantëve të huaj, që kapen në detin Mesdhe.
“Në datën 06 dhjetor 2023, 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së Protokollit të nënshkruar midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit ne fushën e migracionit”. Kjo kërkesë është paraqitur para ratifikimit të këtij Protokolli, bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës. Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se nuk është respektuar procedura e negocimit dhe e nënshkrimit, pasi Protokolli i bashkëpunimit bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e Presidentit, pasi prek çështje të territorit dhe të të drejtave themelore, sipas nenit 121, pika 1, shkronjat “a” dhe “b”, të Kushtetutës.
Po ashtu, ata kanë paraqitur edhe tre kërkesa të njëjta për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin, mbi shkakun se shqyrtimi dhe votimi i Protokollit është planifikuar nga Kuvendi për seancën plenare të datës 14 dhjetor 2023. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen, vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes per shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh. Bazuar në nenin 52, pika 3, te ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Duke mbajtur parasysh parashikimin e së njëjtës dispozitë ligjore (neni 52, pika 3), që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 janar 2024, ora 10:00″, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Sipas opozitës, marrëveshja ka disa shkelje kushtetuese, por dy janë kryesore. Së pari, kryeministri nuk ka marrë autorizim nga Presidenti për t’i dhënë Italisë në përdorim territor shqiptar. Deputetët e opozitës arsyetojnë se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në 2010-ën për Marrëveshjen e Detit me Greqinë, qeveria nuk mund të negociojë për një marrëveshje me një shtet tjetër për çështje ku përfshihet territori, nëse më parë nuk merr autorizim nga presidenti.
Argumenti tjetër kryesor është çështja e shkeljes së të drejtave të njeriut në territorin e Shqipërisë.
Lini një Përgjigje