
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Edvin Kulluri, ka bërë të qartë se mes opozitës nuk do të ketë bashkim nëse përballë gjendet Sali Berisha.
Duke bërë Berishën me faj për përçarjen e demokratëve, Kulluri tha se “non grata” është diçka e pakapërcyeshme.
Madje ai ka hedhur akuza të tjera duke thënë se edhe trazirat në jetën parlamentare kanë ardhur nga protagonizmi i Berishës.
Në akuzat e tij Kulluri ka përfshirë edhe Gazment Bardhin.
“Aty ka një protagonizëm personal. Bardhi mendon se është ende kryetar i grupit të PD-së, ndërkohë që nuk është më deputet i PD-së. Berisha mendon se është kryetar i PD-së, ndërkohë që nuk është. Oferta jonë është një mundësi tjetër që u jepet deputetëve, jo Berishës, për të cilën e kemi vënë kusht të panegociueshëm të bashkimit në federatë për sa kohë është non grata.
Nëse bie ky kusht do të ketë shumë alternativa për të diskutuar”, ka thënë Kulluri.
Megjithatë sipas tij në tryezë mbetet edhe alternativa që secila palë të hyjë në zgjedhje me listat e veta.
“Ka edhe alternativa të tjera që secila palë të hyjë me listat e vetat dhe të gjendet një formulë e tretë përbashkimi e ndërmjetme. Nëse bie kushti i ndarjes ka kushte të reja për bashkim, nëse nuk bie kushti i ndarjes fatkeqësisht do të jemi të ndarë. Çështja e non gratës është një çështje e pakapërcyeshme, kurse largimi i Berishës është një çështje e kapërcyeshme pasi SHBA-të do të jenë aty për shumë gjatë, por kryetarët e partisë, ndryshojnë, kanë një mandat më të shkurtër. Barrën e përgjegjësisë nëse vazhdojmë të përçarë për Berishën në krye të opozitës do ta mbajnë ata, ne nuk na pëlqen pasi duam fitoren” është shprehur Kulluri në një intervistë për Report Tv.
Lini një Përgjigje