
Ndërsa Berisha përpiqet të heqë "non grata"-n me miliona dollarë lobim, vajza e presidentit amerikan promovon libra që dokumentojnë zymtësinë e regjimit të tij dhe përpjekjet për kapjen e pushtetit me dhunë...
Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja e Jared Kushner, një nga investitorët e interesuar në Shqipëri përmes projekteve turistike në ishullin e Sazanit, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një foto ku shfaqen tre libra mbi historinë e Shqipërisë. Midis tyre është edhe vepra e njohur e historianëve britanikë Miranda Vickers dhe James Pettifer, "Albania: From Anarchy to Balkan Identity", si dhe një tjetër libër nga e njëjta autore, “The Albanians: A Modern History”, së bashku me romanin klasik të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Ky detaj, në dukje i pafajshëm, vjen në një moment politik të rëndësishëm për Shqipërinë. Sali Berisha, figura më e kontestuar e tranzicionit shqiptar, është në një betejë të fortë për të hequr emërtimin "non grata" që i është vënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ai akuzohet për korrupsion madhor, për kapje të shtetit dhe për përfshirje në afera që kanë minuar themelet e institucioneve demokratike të vendit. Ndërkohë që lobon me miliona për të pastruar imazhin, librat që Ivanka Trump ka vënë në tavolinën e saj, e rikthejnë atë në qendër të kritikave ndërkombëtare dhe të historisë së zezë të viteve ’90 në Shqipëri.
Në librin “Albania: From Anarchy to Balkan Identity”, autorët britanikë rrëfejnë me fakte dhe burime të verifikuara përpjekjet e Berishës për të mbajtur pushtetin përmes strukturave të dhunshme. Përmendet në mënyrë eksplicite mënyra si kreu i PD-së urdhëroi shkarkime masive në ushtri në vitin 1996, në prag të rrëzimit të shtetit, për të eliminuar çdo element që nuk i bindej verbërisht. Midis të shkarkuarve ishte edhe koloneli amerikan Dennison Lane, këshilltar ushtarak në Shqipëri, i cili kishte raportuar në Pentagon për përgatitjet e një përplasje të mundshme civile të nxitur nga qeveria Berisha. Për këtë raportim, ai u shpall “non grata” nga vetë qeveria shqiptare dhe u përjashtua nga vendi.
Në të njëjtin libër, Vickers dhe Pettifer e përshkruajnë Berishën si figurën kyçe që inkurajoi skemat piramidale për të mbledhur para nga qytetarët me qëllim financimin e fushatës së tij në zgjedhjet e majit 1996. Sipas tyre, ai përdori Gazideden dhe strukturat e SHIK për të shtypur protestat, për të frikësuar kundërshtarët dhe për të ndërtuar një mekanizëm shtetëror që funksiononte si një mini-diktaturë. Kapituj të tërë në libër janë të përkushtuar destabilizimit të vendit në vitin 1997, periudhë që përshkruhet si më dramatikja pas rënies së komunizmit, për të cilën përgjegjësia politike dhe morale i faturohet direkt Berishës.
Në një tjetër pjesë të dokumentuar me kujdes, dy historianët rrëfejnë se Berisha kishte nisur ngritjen e një ushtrie paralele në Shkodër, me mbështetje nga segmente të errëta të jashtme, për të goditur qeverinë Nano në vitin 1998. Në këtë skenar përmenden planet për marrjen e Tiranës përmes grupeve të armatosura nga Veriu, ndërsa Lazarati përshkruhet si bastioni i mbrojtjes së PD-së në Jug. Aty thuhet se komuniteti i Lazaratit vepronte si një shtet brenda shtetit, i armatosur dhe jashtë kontrollit të institucioneve, i përdorur si levë politike për të shmangur çdo rezistencë ndaj planeve të Berishës.
Një tjetër detaj tronditës që përmendet në libër është ndërhyrja e shteteve si Greqia, Austria dhe Italia për të mos lejuar arrestimin e Berishës pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 1998. Ndërkohë që Parlamenti shqiptar po shqyrtonte heqjen e imunitetit të tij për organizimin e një kryengritjeje të armatosur, një telefonatë nga Athina dhe presioni ndërkombëtar penguan ndalimin e tij. Sipas autorëve, një arrestim në atë moment do të kishte zbuluar plotësisht skemën e destabilizimit të vendit, por frika nga një tjetër valë dhune e bëri ndërkombëtarët të ndërhyjnë për të mbrojtur një njeri që pak më parë kishte tentuar të shembte shtetin.
Pra, teksa Berisha po hedh miliona për të ndikuar te Trump, njeriu më i afërt i tij, do të ketë një panoramë të zezë për ish-kryeministrin. /Pamfleti
Lini një Përgjigje