
Rama u nervozua kur ju vu në pah se SPAK po heton skandalin “McGonigal”...
Prokuroria e Posaçme duket se ka futur në ankth edhe kryeministrin Edi Rama. Sot ky i fundit u shfaq në një emision dhe pavarësisht se mburrej se e solli ai drejtësinë e re, duket se frika është aty.
Rama nuk la gjë pa thënë për gazetarët dhe mediat që i kanë vënë në pah pasurinë. Ai i cilësoi ata si sharlatanë, teksa riktheu deklaratën e dikurshme se nuk “nuk ka birë nëne dhe bir tjetër që mua të më dalë përpara e të më thotë që një qindarkë e imja si taksapagues ndodhet në xhepin tënd”.
“Jam informuar që i vogël se kur shkon në anën tjetër, je lakuriq përballë atij që të del atje. Nuk të duhet as cash-i, as pasuria. Ndërkohë që mbrapa lë emrin. Unë luftoj për emrin. Këta sharlatanë që flasin për luksin tim, sarajet e mia…Unë s’kam vetëm shpjegime, unë kam fakte dhe kam letra...”, tha ai në “Opinion”.
Ndërkohë Rama u nervozua kur ju vu në pah se SPAK po heton skandalin “McGonigal”. Rama ju dërgoi mesazh të koduar prokurorëve, pasi sipas tij, aty nuk ka asgjë për të hetuar.
“Ata të hapin çdo hetim që shohin të arsyeshme, nuk kam asnjë problem unë. Dhe kjo çështje e McGonigal sidomos mua më bën shumë për të qeshur. Më krijon një të papërmbajtur gaz kur thoshte Konica. E kemi shpjeguar këtë tani. Me këtë do merremi tani? Shqipëria ka hapur negociatat për anëtarësim. U premtove njerëzve që do flasim për ekonominë dhe pensionet. Tani shkojmë te McGonigal, merremi me telefonin e një hallexhie, dalim te këta hallexhinjtë e tjerë. Këta janë njerëz në hall”, tha ai.
I pyetur nëse SPAK do ta thërrasë, Rama tha: “Po pse mos të shkoj. Patjetër. E vajtura në SPAK nuk është fajësim”.
Po ashtu ai foli dhe për biletat e basketbollit në SHBA, të cilat ishin shumë të majme. Rama u justifikua sërish se i mori dhuratë, duke u trembur nga hapja e një hetimi për mosdeklarim të faturës. Por Rama nuk tregoi se kush ja bëri këtë dhuratë.
“Ajo bileta as nuk blihet dhe as nuk shitet. Nuk e blen dot, shko kërkoje. Janë vende të rezervuara nga personat që i kanë marrë për vite të tjera. Ç’rëndësi ka kush është. Ishin miqtë e mi që donin të më jepnin këtë kënaqësi. Është njësoj sikur të të ftojnë në restorant. Do më korruptonin me bileta? Këto janë muhabete kot. Unë as kam blerë bileta, as kam futur njeri. Në SHBA vendet e rezervuara rezervohen nga njerëzit, jo për vete, por dhe për miq, njësoj siç ftohen në kafe”, tha ai.
Më pas Rama u ndal edhe tek udhëtimet me avion. Opozita e akuzon për shpenzime luksi, por kryeministri vijon të justifikohet se i nxjerr nga xhepi paratë kur bën udhëtime me familjen.
“Unë fluturoj në dy mënyra. Kur kam udhëtim si kryeministër udhëtoj me avionin e posaçëm. Në çdo rast që unë fluturoj me familjen për arsye private, unë marr bileta te Wizeri dhe janë nga shpenzimet e familjes dhe deklarohen të gjitha. Unë në atë avion hyj si kryeministër dhe të gjithë kryeministrat e avionit kanë avionë. Mendon se jam idiot dhe të paguaj një avion 20 mijë euro që siç thonë këta sharlatanët, këta palaço qoftë me kostumin e analistit apo politikanit. Flas për palaço cirku, se i kanë mbushur kokën miletit 100 mijë euro dita”, tha ai.
Më tej ai u ndal dhe te shtëpia, e cila në fakt ka shumë mister mbi koston. Vetë Rama sulmoi atë që ja cilësojnë si saraje.
“Unë jetoj në një shtëpi që është e ndërtuar si qindra, mijëra shtëpi që kanë ndërtuar shqiptarët me dy, tre, pesë kate. Unë nuk e kam me dy, tre kate. E kam sipas dëshirës, kënaqësisë dhe mënyrës si e shoh unë botën. Është një shtëpi e çuditshme! Mbi mua, 30 metra është një familje nga Veriu që kanë ardhur vite përpara dhe kanë një super shtëpi me 3 kate dhe ta gëzojnë, janë njerëz punëtorë… Dhe palaçot përdorin fjalën saraje, pse janë saraje?! Tani, të lutem mos më fol për injorantë! Nuk matet me 50 metra se nuk është hapësirë banimi e gjitha. Është muri rrethues…Është arkitekturë dhe për arkitekturën pastaj ne kemi një ndarje epokale. Jam për arkitekturën që e ka bërë Tiranën kryeqytetin turistik. Kush merret me sarajet e mia, është për Bathoren…Mrekullinë e 7-të të botës!”, tha Rama. /Pamfleti
Lini një Përgjigje