Duket se Fatmir Xhafaj nuk ka reaguar thjesht si individ, madje gjasat janë që ai të jetë pjesë e një lobi të madh, mjaft të madh në PS, që do ta nxjerrë së shpejti kokën…
Pak ditë më parë, në një intervistë për Merita Haklajn, një zhvillim i fortë ka ndodhur brenda mazhorancës.
Fatmir Xhafaj, ish-ministër i Brendshëm i Edi Ramës dhe njeriu që hartoi reformën në Drejtësi, paralajmëroi kryeministrin se nëse vijon kështu, PS-ja do të përfundojë si Partia Demokratike sot: Pra e përçarë dhe e dërrmuar!
Shumë pak u komentua kjo intervistë…
Askush nuk e përmendi në panele, ndërsa gazetat proqeveritare e censuruan, e më pas dhe e fshinë nga qarkullimi. Dhe për çudi edhe mediat opozitare, e injoruan edhe më keq, në vend të gjenin një hapësirë të rëndësishme për një debat politik që i intereson opozitës.
Reagimi i parë i intervistës së ashpër të Fatmir Xhafës në A2 ishte një intervistë e stisur e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në Top Channel, ku ai u duk i shqetësuar nga deklaratat e Xhafajt, e u përpoq të amortizonte efektin, duke thënë se tani ai kishte vetëm një prioritet: “mandatin e katërt të Edi Ramës”…
Një objektiv, që ende nuk është shpallur nga kreu i mazhorancës me gojën e vet, edhe pse të tjerë e thonë se kanë ndër mend të qëndrojnë edhe 4 vjet të tjera pas 2025-s.
Dy frazat e forta të Xhafajt ishin: “E kam ndjekur me kujdes fjalën e tij në 32 vjetorin e PS dhe i pari që duhet të reflektojë është vetë ai, pasi ka përgjegjësinë e lidershipit politik për ta orientuar këtë pushtet të kësaj force politike dhe që të mundet ta mbajë këtë barrë pa kosto shumë të mëdha. Se barra kur dobësohet kurrizi të thyen në mes. Dhe mund të na ndodhi ajo që po i ndodh edhe opozitës”.
Dhe tjetra: “Nga artikulimet që ka bërë kryeministri më lë të kuptoj që është i shqetësuar dhe ndoshta po reflekton. Dua ta shoh që të hedhi në tavolinë reflektime serioze. Në disa raste nuk ka nevojë për të bërë ‘make up’ të makinës por edhe për ta rinovuar plotësisht. Shpresoj që të ketë urtësinë ta realizojë”.
Fraza e parë është një paralajmërim për Edi Ramën, se do të thyhet në mes, e Partia Socialiste do të përfundojë si PD-ja me dy entitete politike është mjaft e qartë. Një sinjal që nuk do të jetë e largët dita e një rebelimi zyrtar nga një grup brenda PS-së.
Rebelim që më pas do të prodhojë përplasje e shizma. Gjasat janë që kjo të ndodhë në një moment delikat, që siç duket do të jetë kur SPAK të hapë ndonjë dosje të madhe, apo ndokush të vendosë më në fund të flasë për “dirty wars” të Edi Ramës me njërëzit e bashkëpunëtorët e vet.
Ndërkaq, fraza tjetër është gjithashtu e qartë dhe shkon si një thirrje, apo kusht që të mos ndodhë përplasja.
Që Xhafaj e thotë me “një rinovim total të makinës” e jo një ‘make up’.
Kjo është realisht kërkesa e parë publike, e artikuluar nga një zyrtar i rëndësishëm i Partisë Socialiste pas 11 vjet pushteti të pakufizuar të Edi Ramës. Xhafaj i ka të gjitha mundësitë për ta bërë, ngaqë përfaqëson një target grup politik jo më në dhomën e pushtetit, por thuajse i lënë në harresë. Madje siç e tha edhe vetë, u la i 23 në listë për ta larguar përfundimisht, por ai ja doli.
Misteri është se kush mund të jetë me Xhafajn, kur Veliaj doli një ditë më pas, për të treguar besnikërinë ndaj Edi Ramës, i cili e di më mirë se të gjithë në PS, se ndërkombëtarët ka shumë gjasa të mos e lënë një mandat të katërt për kryeministrin aktual. Si mekanizëm për ta bërë këtë është një “largim i butë”, nëpërmjet një roli apo posti ndërkombëtar, e shenjat janë dhënë.
Dalja para ca ditësh në një takim në Holandë me kreun e NATO-s dhe kryeministrat e Polonisë, Holandës e Rumanisë , ishte një sinjal për këtë variant.
Për të ardhur më pas tek varianti i tjetër, që është krejt i kundërt, e që flet jo për joshje, po për çekan. E ky skenar përmban një dosje të madhe nga SPAK, ku SHBA e BE ka një influencë të rëndësishme. Një dosje aq e madhe, sa do të trondisë kolonat që mbajnë në këmbë mazhorancën. Por që të ndodhë kjo, do të duhet të hapen njëherë dosjet e Sali Berishës e Ilir Metës, për të cilët duhet thënë me plot gojë se, Edi Rama i ka penguar me ç’ka pasur mundësi.
Me fjalë të tjera, jemi afër momentit ku Edi Rama ka gjasa që të mos jetë më kryeministër pas 2025-s, e ndaj kanë nisur të lëvizin gjërat. Por gjithë frikë e natyrisht me mitomanë që kanë hedhur tezën se i vetmi njeri që mund Ramën është një biznesmen i rëndësishëm. A thua se opozita është treg lavatriçesh.
Por gjithsesi, duket se Fatmir Xhafaj nuk ka reaguar thjesht si individ, madje gjasat janë që ai të jetë pjesë e një lobi të madh, mjaft të madh në PS, që do ta nxjerrë së shpejti kokën. E janë pikërisht ata që përgjërohen se e duan Edi Ramën. Kështu ndodhi edhe me Lulzim Bashën në korrik të 2021-shit, kur doli me doktorin si në foton me Enver Hoxhën, e më pas në shtator e pushkatoi politikisht…/Pamfleti
Lini një Përgjigje