
Me mijëra demokratë kanë dalë në protestë sot para Kryeministrisë, ku kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.
Ndonëse Sali Berisha është në arrest shtëpie, demokratët kanë vendosur të mblidhen në shesh, duke mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
I pari që ngriti siparin e protestës ishte Luçiano Boçi, më pas vijuan Mehdi Malkaj, Flamur Noka dhe përfaqësues të tjerë të opozitës.
18.07- Luçiano Boçi: Ne nuk dorëzohemi, koha që qytetarët të marrin në dorë fatin e tyre
Luçiano Boçi ka qenë ai që ka hapur protestën e opozitës. Ai u ngjit i pari në podium, ku u shpreh se diktaturat rrëzohen vetëm me reagim qytetar. Sipas tij, godina e Kryeministrisë dhe Kuvendi janë vendet ku bëhen pazare dhe thuren plane kundër qeverisë. Sipas tij, në ato godina u vra e ardhmja dhe u burgos shpresa e shqiptarëve.

“Ajo që na ka sjellë këtu nuk është vetëm historia dhe lavdia e rrëzimit të diktaturës së Enver Hoxhës, por është e sotmja, është dëshira e qytetarit për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Ai që na ka thirrur në këtë protestë është ai grushti i mbledhur i intelektualit që kamxhikohet nga regjimi, është zemërimi i biznesit të madh dhe të vogël që i ngushtohet laku në fyt nga taksat. Është revolta e të rinjve, është ai fermeri që vajton produktin e vet, është ofshama e atij pensionistit që pret lëmoshën e tij, është ajo drama e qytetarit shqiptar jeta e të cilit është një udhëtim dantesk drejt ferrit. Sot ne vijmë të bashkuar si një zë i vetëm kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës. Jemi të bashkuar në një qëndresë, duhet të vazhdojmë, të mos gjunjëzohemi dhe të mos dorëzohemi. Pushteti i korruptuar i Ramës mbështetet mbi frikën dhe apatinë. Ato mposhten me guximin dhe vendosmërinë tonë.
Ai që është larguar këto godina i blindon dhe i mbyll, na takon ne ti shembim ato porta, ti hapim ato porta, sepse duke hapur ato porta i korruptuar kryeministër do gjendet pas hekurave. Vetëm kështu do bëjmë drejtësi”, tha Luçiano Boçi.
18.15- Aktori Mehdi Malkaj: Ramën duhet ta përzëmë, ndryshe nuk largohet
Aktori Mehdi Malkaj ka mbajtur fjalën e tij në protestën e opozitës e cila po mbahet para Kryeministrisë.

Gjatë fjalës së tij, aktori tha se Rama nuk ikën por duhet ta përzëmë. Më tej Malkaj tha se qe ky në pushtet, duke ju referuar kryeministrit Rama nuk do mbetet asnjë copë Shqipëri, asnjë shqiptarë se e shet.
“Kam një kërkesë për ju, meqë jetojmë në momente historike, kam një dëshirë të themi katër vargjet e para të Naim Frashërit… Nuk ikën Rama, Ramën duhet ta përzëmë. Nuk kemi kohë për t’u grindur. Rroftë Shqipëria, se po qe ky në pushtet nuk do mbetet asnjë copë Shqipëri, asnjë shqiptarë se e shet”, tha ai.
18:36- Flamur Noka: Edi Rama jo kryeministër, por kryehajdut
Deputeti i PD-së Flamur Noka nga podiumi i ngritur përballë kryeministrisë, ka deklaruar se kjo protestë ka si qëllim të ndërpres projektin më të errët që i është kanosur ndonjëherë vendit.
Ai shtoi se kjo protestë është gjithashtu për t’i treguar kryeministrit se nuk arriti dot të çonte në fund planin e tij për të shkatërruar opozitën. Noka më tej hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama, për të cilin tha se qeveria e tij e zhytur në korrupsion ka varfëruar vendin.
Ndër të tjera Noka paralajmëroi kryeministrin se populli shumë shpejtë do t’i japë përgjigjen e duhur që do t’i japë fund regjimit të tij.

“Do të mbahet mend gjithmonë kjo ditë dhe ky moment dhe do të hyjë në histori më këtë vërshim madhështor i cili ka për qëllim të ndërpresë planin ogurzi të Edi Ramës për asgjësimin e opozitës. Një person që sundon prej 11 vitesh dhe ka kapur çdo zyrë, blen votën, ndan pasuritë e vendit si tortë dhe është në krye të çdo afere, që udhëton si shejik me avion të paguar nga taksat tuaja.
Të gjitha me paratë tuaj, i bën për tekat e tij personale. Me këtë vërshimin tuaj, ai është më i palumtur dhe nervoz dhe i shqetësuar se nuk ja doli dot të shkatërronte opozitën, atë që i prishi ëndrrën për mbretërinë. Nuk ja doli të shkatërronte PD dhe opozitën shqiptare. Edhe pse na e burgosi liderin me një proces politik, pa fakte, ne jemi sot për ti thënë se opozita është në këmbë, e papërkulur, e bashkuar dhe gjithë energji e gatshme për ta rrëzuar.
Edhe pse korruptoi Mc Gonigalin per “non gratën”, nuk na rrëzoi se ne e kemi rezistencën për luftën për liri. Mc Gonigali u dënua në SHBA, në atë dosje Edi Rama ishte korruptuesi. Sot i themi Edi Ramës se nuk të njohim se ne nuk mund të kemi kryeministër hajdutë”, tha Noka.
18:44- Bardhi: Rama ka dështuar, së bashku do t’i bëjmë ballë të keqes!
Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi e nisi fjalimin e tij para demokratëve të mbledhur në protestë duke folur për vështirësitë që PD-ja është përballuar këto dy vitet e fundit. Vështirësi të cilat sipas tij tashmë janë kaluar pasi PD-ja është më e bashkuar se kurrë.
Më tej Bardhi hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama duke e quajtur atë aleat të krimit që mbjell korrupsion dhe shkakton varfëri në vend.
Ndër të tjera Bardhi deklaroi se kjo betejë e tyre me Ramën është e pabarabartë, por shtoi se opozita nuk do të dorëzohet në aksionin e saj opozitar.

“Sot ne vërtetë jemi në opozitë, vërtetë kemi kaluar momente të vështira, të padenja për të qenë në lartësinë e duhur, por sot kemi me vete pasurinë më të madhe. Sot kemi me veten kurajon tuaj. Kemi dinjitetin tuaj dhe dëshirën për të luftuar dhe vullnetin për të fituar. Ju jeni pasuria më e madhe që ka Shqipëria. Sot të gjithë shqiptarët janë krah jush me mendje dhe zemër, ata që nuk kanë këtu ju shohin, ju mbështesin dhe duan të jenë si ju. Jam krenar që ia dolëm të bëjmë më të mirën për PD, për opozitën. Sot jemi bërë të gjithë bashkë si e vetmja mundësi për tu përballur me të keqen
E keqja e vendit ka emrin e kryeministrit, aleatit të krimit që po shkatërron të ardhmen e familjeve shqiptare. Përtej fasadës janë dy botë të ndershme të destinuar të qëndrojnë përballë njëra tjetrës. Në njërën anë jeni ju që doni ndryshimin, përballë nesh qëndron Rama në botën e tij që mbjell vetëm korrupsion, krim dhe shpopullim. Ju jeni sot forca më e madhe sepse Edi Rama ka dështuar. Kjo është një luftë e pabarabartë, por ne nuk dorëzohemi”, tha Bardhi.
18.50- Albana Vokshi akuza Ramës: Në çdo tryezë që ulet shet një copë nga Shqipëria
Deputetja Albana Vokshi hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama ndërsa iu drejtua protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke e konsideruar atë si një tradhtar që shet çdo ditë tokën dhe detin e Shqipërisë.

Gjatë fjalës së saj, deputetja Vokshi tha se Rama në çdo karrige që ulet ka premtuar diçka për të shitur. Sipas deputetes së PD, në asnjë tryezë nuk ulet si kryeministri dinjitoz i një vendi sovran por si një matrapaz.
“Duhet të ishim më parë këtu në këtë shesh. Kemi kaluar dy vite të vështira, përpara një sulmi frontal për të shkatërruar opozitën. Përdorën të gjitha format, para, presione, kërcënime, pengje, lobime brenda dhe jashtë, por nuk ia dolën. Ja ku jemi këtu. Jemi më të fortë. U bëmë bashkë duke kapërcyer mllefet. Është një rrugë pa kthim, për ta hequr këtë mallkim që na ndjek dhe përndjek dhe që e ka emrin Edi Rama.
Një thirrje kam për shqiptarët, ngrihuni, protestoni jo për Partinë Demokratike, por për Shqipërinë tonë të përbashkët. Shqipëria jonë është në rrezik. Shqipëria po shitet si plaçkë lufte për interesa të një njeriu që është Edi Rama. Edi Rama nuk është kundërshtari ynë politik, por një tradhtar", tha ajo.
18.55-Berisha u drejtohet virtualisht protestuesve: Po më mbajnë të izoluar politikisht, t’i japim fund regjimit të Ramës
Ish-kryeministri Sali Berisha u është drejtuar online protestuesve të mbledhur sot para Kryeministrisë. Me mijëra qytetarë dolën në shesh kundër qeverisë, teksa Berisha vendosi të bëhet pjesë e saj virtualisht, duke qenë se ndodhet në “arrest shtëpie”.
Duke folur online, Berisha doli sërish te halli i tij, “non grata”. Ai akuzoi amerikanët se nuk kanë asnjë provë për akuzat ndaj tij, teksa shkoi deri aty sa akuzoi McGonigal si lobist për shpalljen e tij të padëshiruar. Sa i takon masës së arrestit, ai akuzoi Ramën se po vepron si Putini me liderët e opozitë në Moskë.

“Duke përmbysur në Tiranë shtatoren e tij, zvarritur dhe copëtuar në rrugët e qytetit, nderim përjetë heronjve të 20 shkurtit, Por sot për të parën herë në këto 33 vite, ku 20 shkurt eklipson për nga rëndësia atë të 1991, sepse përdëllim nga 91 nuk kemi përpara simbolet e një diktature të bazuar në doktrinën marksiste leniniste, por përballemi me një lloj të ri të diktaturës të bashkëpunimit me krimin dhe trafikun e drogës, e cila ka shtrirë përtokë dollarin dhe monedhën europiane. Nuk kemi shtatoren e brozit, por qëndron shtatorja e gjallë Edi Rama, i cili njëlloj si diktatori tjetër, ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij dhe do një pushtet pa opozitë dhe vret shpresën e qytetarëve më shumë se askush tjetër”, tha ai.
Në përditësim...
Lini një Përgjigje