Si sistemi proporcional rajonal godet partitë e vogla dhe favorizon dy forcat e mëdha...
Zgjedhjet e fundit në Shqipëri sollën në skenën politike disa parti të reja që përfaqësuan një frymë ndryshe, një energji qytetare dhe një kërkesë të qartë për ndryshim.
Lëvizja Bashkë, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Partia Mundësia hynë në garë me një profil të qartë si alternativa ndaj elitave të vjetra dhe polarizimit të skajshëm PS-PD. Të tria këto forca të reja deri tani në rang vendi kanë marrë mbështetje të konsiderueshme: “Nisma – Shqipëria Bëhet” 37,229 vota, “Mundësia” 30,719 vota dhe “Lëvizja Bashkë” 14,231 vota, duke dëshmuar se një pjesë jo e vogël e elektoratit kërkon realisht të dalë jashtë binarëve të zakonshëm të politikës shqiptare.
Por përkundër kësaj mbështetjeje të ndjeshme në rang kombëtar, secila prej tyre arriti të sigurojë vetëm nga një mandat deputeti, çka tregon më shumë për padrejtësinë strukturore të sistemit elektoral sesa për peshën reale të këtyre forcave në shoqëri. Ky sistem, i vendosur me paktin e vitit 2008 mes Ramës dhe Berishës, e ka kthyer garën elektorale në një fushë të pabarabartë, ku partitë e vogla nuk konkurrojnë më për vota, por për mrekulli numerike në qarqe të fragmentuara.
Përmes proporcionalit rajonal, Shqipëria është ndarë në 12 zona të pabarabarta, ku numri i mandateve ndryshon nga 3 në Kukës deri në mbi 30 në Tiranë, duke e bërë praktikisht të pamundur për partitë e vogla të kalojnë pragun numerik për të fituar një përfaqësim të ndershëm.
P.sh., në një qark ku ka vetëm 4 mandate, për të marrë një deputet një forcë politike duhet të kalojë shpesh 20–25% të votave, gjë që është e paarritshme për një forcë e re që nuk ka strukturë klienteliste apo logjistikë shtetërore si PS e PD.
Kështu ndodh që një parti mund të marrë mijëra vota të shpërndara në shumë qarqe dhe të mos i përkthejë ato as në një përfaqësim minimal, ndërkohë që një forcë e madhe me përqendrim të votës në një zonë të vetme merr mandate edhe me më pak mbështetje në rang kombëtar.
Ky është thelbi i deformimit: një sistem që favorizon përqendrimin e pushtetit dhe mbijetesën e elitave të vjetra, që e ka mbyllur ciklin e vet historik, por mbahet gjallë përmes manipulimit të rregullave të lojës.
Paktin e 2008-s e paraqitën si modernizim, por në fakt ishte një grusht institucional kundër demokracisë funksionale – eliminimi i votës preferenciale reale, mbyllja e mundësisë për të kandiduar jashtë listave të kryetarëve dhe ngritja e një pragu de facto shumë më të lartë se ai formal.
Sot, tre partitë e reja që deri tani kanë marrë mbi 80 mijë vota sëbashku, nuk kanë më shumë përfaqësim sesa një deputet secila, ndërkohë që kjo mbështetje do të përkthehej në të paktën 6–7 mandate në një sistem proporcional kombëtar.
Ky është një krim politik i heshtur, që e vret shpresën, e zhvlerëson votën dhe e çon vendin drejt një stagnimi politik të zgjatur.
Në vend që sistemi të inkurajojë ide të reja dhe energji të reja, ai i dënon ato me margjinalizim, duke i detyruar të mbijetojnë në periferinë e sistemit, ndërsa skena mbetet një duopol që ka dalë jashtë çdo kontrolli demokratik. /Pamfleti
Lini një Përgjigje