Deputetja demokrate, Ina Zhupa ka bërë një reagim pas raportimeve se në takimin mes Edi Ramës dhe homologes italiane, Giorgia Meloni është diskutuar marrja e ujit nga ‘Syri i Kaltër’ për rajonet italiane.
Zhupa thotë se ‘Syri i Kaltër’ në Sarandë nuk është një mall në shitje.
“Dje dhe sot mediat japin lajme në lidhje me vendosjen e tubave tek ‘Syri i Kaltër’ me qëllim furnizimin me ujë të rajonit të Puglias në Itali. Edhe vizita miqësore e kryeministres Meloni, lidhet me këtë sipas burimeve mediatike.
Nuk është hera e parë që dëgjohen të tilla përpjekje me Italinë dhe me Greqinë por do ishte çmenduri, papërgjegjshmëri dhe antiligjore një projekt i tillë me cilindo shtet.
‘Syri i Kaltër’ është park natyror dhe ka statusin zonë e mbrojtur nga viti 2002. Punimet, tubacionet, ndërhyrjet do ishin kategorikisht të ndaluara dhe në dëm të kësaj pasurie natyrore.
Saranda, Delvina, qytetet e tjera vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm, por s’ka shkuar kurrë ndërmend një ndërhyrje me tubacione në ‘Syrin e Kaltër’. Aq më pak të mund të mendohet apo pranohet diçka e tillë për shtetet fqinje.
Si deputete përfaqësuese edhe e Finiqit, bashkisë ku ndodhet ‘Syri i Kaltër’ do kërkoj informacion zyrtar në lidhje me planet konkrete që ka qeveria shqiptare për këtë park natyror. Asnjë shkatërrim i tij nuk do pranohet kurrsesi!” shprehet Zhupa.
Lini një Përgjigje