
Përplasja në Këshillin Bashkiak nuk është thjesht mbrojtje penale, por kërcënim politik që mund të krijojë një kanal të ri brenda mazhorancës së mandatit të katërt të Ramës...
Sali Berisha ka të gjithë të drejtën e vet të luajë fort me konfliktin aktual brenda mazhorancës; përplasjen Rama–Veliaj, për të fituar kredite politike. Sepse është një rast shumë i veçantë: nëse mazhoranca nuk merr goditjen e madhe tani, më vonë do të jetë shumë më e vështirë. Berisha, në realitet, ka kontribuar në krijimin e kësaj fuqie të Edi Ramës, duke u bërë palë në goditjen ndaj Veliajt. Me dashje apo jo, këtë do ta tregojë koha.
Por Berisha gabon kur thotë se Edi Rama ka frikë thjesht nga fakti se Erion Veliaj mund të flasë, përkatësisht të hapë “kutinë e Pandorës” për ato që di mbi aferat qeveritare. Ky “shqetësim” nuk ekziston për Ramën. Siç bëri edhe me Arben Ahmetajn, ai mund ta neutralizojë këtë efekt, qoftë edhe duke rritur represionin ndaj Veliajt, familjes së tij, apo me akte të tipit mafioz që kemi parë këto ditë, si rasti i Gjushit në Durrës, ku “rastësisht” iu vendos bombë në hotel, “rastësisht” u helmua dhe “rastësisht” u kthye në burg.
Për Edi Ramën, Erion Veliaj është sot një telash i pastër politik. Kërkesa e Veliajt për të folur në Këshillin Bashkiak është një sfidë politike, sepse Rama e ka marrë tashmë votën paraprakisht të këshilltarëve të PS-së në selinë e partisë, duke i vënë përpara faktit të kryer. Rama e bëri këtë për t’i treguar Veliajt se nuk i ke më njerëzit e tu në këshill, sepse ata të kanë shkarkuar.
Veliaj, i rrëzuar, në kushtet e një situate të rëndë politike, penale dhe personale, ka gjetur forcën për t’i thënë Ramës: dakord, por më lër të flas para tyre. Në fund të fundit, çfarë mund të bëjë Veliaj në Këshill? Do të përsërisë narracionin që ka bërë deri më tani, bashkë me mbrojtjen përballë akuzave. Një fabul që edhe vetë Rama e ka përdorur, sepse i leverdis për të mbajtur nën presion drejtësinë dhe SPAK.
Ajo që e shqetëson realisht Ramën nuk është mbrojtja penale e Veliajt, por ligjërimi i tij politik. Sepse, qoftë në forcë dhe sidomos në përmbajtje, nëse është i qëndrueshëm, ai mund të hapë një kanal real brenda mazhorancës së Ramës në mandatin e katërt. Një kanal që, ndryshe nga LSI-ja e 2004-s që ishte më shumë një reagim inati, mund të shndërrohet në një mundësi të re politike. Një rrugë ku fillimisht do të kalojnë pak, por që më pas mund të tërheqë gjithnjë e më shumë njerëz që ndihen të ngushtuar në pushtetin kallp të Edi Ramës.
Kjo është, në fakt, “kutia e Pandorës” që mund të hapë Erion Veliaj sot: jo një shantazh për Ramën, por një kërcënim real politik./Pamfleti
Injoranca shqiptare qe duhet edhe 20 vjet te pastrohet eshte delja e PS ato nuk ndryshojne nuk ka lidhje eshte Rama spo kush tjeter vetem Emri PS GJYNAH