Edi Rama u ka kërkuar krerëve të qarqeve që në gjuhën e brendshme partiake konsiderohen “sekretarët e parë” që në shtator të nisin përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë që do të garojnë në vitin 2025.
Kongresi i vjeshtës, pritet me ankth, pasi ka gjasa që aty të nisë një përleshje mes grupeve të interesit brenda çdo qarku...
Deputetët socialistë që e shohin veten të pasigurtë në kandidimin e pas dy viteve, ndërkaq kanë nisur të grupohen. Qoftë në një angazhim më të madh në publik, por edhe në sulmin ndaj “sekretarëve të parë” të cilët janë vendimtarë në projektimin dhe dërgimin e emrave në skrivaninë e “Sulltanit”.
Janë disa qarqe, ku përplasja po bëhet shumë më e ashpër, pikërisht aty ku krerët politikë kanë vendosur që të revizionojnë listat e deputetëve, duke afruar gjithnjë e më shumë njerëz që propozohen nga ambjentet e të fortëve apo oligarkëve. Të cilët po kërkojnë gjithnjë e më shumë që të kenë njerëzit e tyre në grupin parlamentar të PS-së.
Por kjo përplasje nuk ndodh kudo, ajo vihet re përgjithësisht aty ky “sekretarët e parë” po tregohen më arrogantë në marrëdhëniet me deputetët e zonave.
Qarku i Shkodrës, Elbasanit, por edhe ai i Lezhës, duket që janë më të qetë në këtë mjedis, pasi burime në PS thonë se deri tani krerët e këtyre qarqeve kanë vendosur një marrëdhënie pak a shumë harmonike.
Dibra, Vlora, Fieri, Korça, Berati, e mbi të gjitha Tirana e Durrësi pritet të jenë fushë e madhe beteje brenda Partisë Socialiste.
Në Dibër, Belinda Balluku ka ndërprerë kontaktet me dy kolegët e saj të qarkut, dhe po bën gati një rinovim të listës. Kjo ka sjellë një lumë ankesash në tryezën e Edi Ramës, i cili megjithëse ka dhënë shenja kontestimi me metodën e Ballukut, ende nuk ka ndërhyrë.
Në Vlorë gjithashtu ka një situatë të tillë, edhe për arsye se kreu i qarkut është emëruar deri në shtator Sekretar i Përgjithshëm i PS-së.
Në Fierin e Taulant Ballës situata është shpërthyese. Marrëdhënia e ministrit të Brendshëm me Erion Braçen i cili vijon të jetë nënkryetar grupi i PS-së pa një fuqi reale është thuajse inekzistente.
Tirana e Durrësi ndërkaq, përfaqësojnë dy zonat ku vetë Edi Rama ka paralajmëruar një revolucion të listës së deputetëve.
Në Tiranë, mësohet se i është hequr “Carte blanche” Erion Veliajt si në 2021, kur me ripeshkimin e Fatmir Xhafajt dhe Mimi Kodhelit, i ka shkaktuar dhëmbje koke Bablokut, duke institucionalizuar vektorët kontestues brenda grupit parlamentar të PS-së.
Emërimi i ish-ministrit të Brendshëm Blendi Çuçi si kryetar grupi ad hoc deri në shtator, mësohet se ka vetëm një synim. Të zbusë grupin e deputetëve rebelë, i cili është krijuar avash- avash e përbën një rrezik potencial për mazhorancën, pasi mund t’i bien numrat nga momenti në moment. Dhe kësaj pakënaqësie i është shtuar edhe një afrim i të gjithë atyre që e shohin veten të pasigurtë në zgjedhjet e 2015. E nëse ky grup bëhet dy shifror, pra 10 apo dicka më shumë, kjo përbën një ‘minë me sahat’ të fuqisë dërrmuese për Edi Ramën. Pasi nëse bien realisht numrat e mbështetjes të qeverisë në Kuvend, është shumë e thjeshtë që së bashku me të gjithë deputetët e opozitës të krijohet një shumicë që me një mocion të thjeshtë rrëzon Edi Ramën, i cili, armiqtë sot i ka më të shumtë brenda partisë së tij.
Çuçi ka pasur një mision të negociojë me Fatmir Xhafajn, që ai dhe deputetët që e ndjekin të mos votojë asnjë ligj apo dekret kundër në Parlament.
Sidomos pas abstenimit për kanabisin nga Majko e Xhafa, që alarmoi për vdekje Edi Ramën. Duke i marrë si sinjale të qarta, ai ka ngarkuar ish-ministrin që të vendosë disiplinë deri në shtator. Ndryshe largohet menjëherë, duke vendosur dy të tjerë që i ka ngarkuar negociimin me rebelët. Kush do të jetë i suksesshëm në rezultat do të marrë postin në kongres. / Pamfleti
Lini një Përgjigje