
ILDKP shprehet se janë 555 persona në 8 vite të kallëzuar. Asnjë prej tyre nuk ka përfunduar i pandehur në gjykatë dhe arsyeja kryesore është sepse gjithçka është mbajtur sekret...
Politikanët me pasuri sheikësh vijojnë të jenë imunë përballë drejtësisë. Më qindra emra çdo vit kapen me shkelje sa i takon deklarimit të pasurisë. Një numër shumë i madh zyrtarësh nuk bëjnë deklarime pasurie në afatet e lëna nga ILDKP, ndërsa shumë të tjerë fshehin pronat e vëna në mënyrë korruptive.
“Pamfleti” një ditë më parë tregoi se ILDKP ka kallëzuar penalisht 37 zyrtarë që kanë fshehur pasuritë. Në raportin vjetor thuhet se bëhet fjalë për deputetë, ministra, ish-ministra, krerë bashkish etj., të kapur me shkelje. Ndërkohë që në vitin 2014 e deri më sot janë paditur 555 zyrtarë. Po ashtu, nga të dhënat e siguruara nga “Pamfleti”, figuron se ILDKP ka vendosur gjatë vitit që lamë pas 128 gjoba për mosdeklarim në afat të pasurisë.
Deri këtu gjithçka është në rregull. Por problemi është se emrat e zyrtarëve të kallëzuar apo paditur mbahen sekret. Nëse një qytetar i thjeshtë përfshihet në një ngjarje kriminale, emri, mbiemri dhe fotoja e tij përfundojnë menjëherë në media. Por kur një pushtetar vë pasuri në kurriz të qytetarëve, atij i ruhet anonimati.
Deri disa vite më parë, ILDKP ishte një institucion model. Emrat e personave të kallëzuar publikoheshin në faqen zyrtare dhe sa herë që zbuloheshin shkelje, ILDKP dilte me njoftim zyrtar duke zbuluar abuzimet. Deputetë, ish-deputetë, ish-ministra dhe gjyqtarë e prokurorë janë paditur nga ILDKP për shkelje dhe gjithçka ishte publike. Por, që pas miratimit të ligjit për të dhënat personale, institucionet janë futur në terr informativ. Vetë ILDKP nuk tregon asnjë emër zyrtari që të ketë shkuar në prokurori. Po ashtu dhe prokuroria fsheh emrat e atyre që janë kallëzuar dhe kanë nisur hetimet.
Të tilla manovra duket se i shpëtojnë pushtetarët. Edhe pse ata fshehin pasuri me vlera të larta, ata ja hedhin paq. Duke qenë se emri i tyre nuk del në media, organet e drejtësisë janë të lira të mbyllin njërin sy e njërin vesh. ILDKP shprehet se janë 555 persona në 8 vite të kallëzuar. Asnjë prej tyre nuk ka përfunduar i pandehur në gjykatë dhe arsyeja kryesore është sepse gjithçka është mbajtur sekret. Nëse emri i një deputeti apo ministri do dilte në media se ka fshehur pasurinë do trazohej politika dhe drejtësia nuk vepronte dot me dy standarde. Mirëpo duket sikur ka një pakt të heshtur kur vjen puna te pasuria, politika dhe institucionet janë bashkë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje