Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) zhvilloi sot një tryezë të hapur diskutimi mbi Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore, duke i cilësuar ato si thelbësore për rikthimin e demokracisë funksionale dhe përfaqësimit real politik në vend.
Kryetari i LZHK-së, Dash Shehi, deklaroi se Shqipëria po kalon një nga periudhat më të vështira në raport me shtetin dhe Kushtetutën, duke theksuar se “korrupsioni është bërë i kudondodhur dhe pothuajse çdo ditë kemi skandale që përfshijnë të gjitha nivelet e pushtetit, biznesin, mediat dhe madje edhe segmente ndërkombëtare”.
Sipas Shehit, rruga për të dalë nga kjo situatë është e vështirë, por jo e pamundur.
“Ne gjykojmë se forcat progresiste, përtej dallimeve partiake dhe ideologjike, mund dhe duhet të bashkohen për të prodhuar një projekt të ri politik, që mbështet çdo formë proteste, rezistence dhe demonstrimi kundër regjimit që është ngritur”, u shpreh ai, duke shtuar se paralelisht politika duhet të rikthehet në fushën e reformave të mëdha.
Duke folur për reformën territoriale, Dash Shehi theksoi se ndryshimet në ndarjen administrative duhet të bëhen domosdoshmërisht para zgjedhjeve të ardhshme lokale.
“Do të ishte absurde që reforma territoriale të bëhej pas zgjedhjeve. Kjo është një urgjencë që duhet realizuar para se qytetarët të shkojnë në votim”, tha ai, ndërsa vlerësoi se reforma e vitit 2015 nuk i është përgjigjur realitetit shqiptar, pasi ka rritur shpenzimet administrative, ka ulur efikasitetin dhe ka dobësuar përfaqësimin demokratik.
Shehi theksoi se LZHK do të shtyjë me të gjitha mundësitë drejt një riorganizimi të ri territorial që “i përgjigjet kohës dhe realitetit shqiptar, u jep përfaqësim të gjithë qytetarëve pavarësisht se ku jetojnë dhe çliron energjitë pozitive të pushtetit lokal, nëse ky i fundit ka kompetenca dhe fonde të mjaftueshme”.
Në lidhje me ligjin zgjedhor për pushtetin vendor, kreu i LZHK-së kërkoi që zgjedhjet lokale të konsiderohen të vlefshme vetëm nëse marrin pjesë të paktën 50 për qind e votuesve rezidentë dhe që votimi për kryetar bashkie të zhvillohet në dy raunde.
“Kryetari i bashkisë duhet të përfaqësojë 50 plus 1 të qytetarëve dhe jo të dalë fitues me një pakicë votash”, deklaroi Shehi. Më tej, ai shtoi se sistemi me dy raunde do t’u japë hapësirë reale edhe partive të vogla dhe kandidatëve të pavarur.
Sa i përket reformës zgjedhore në nivel kombëtar, Dash Shehi renditi si të domosdoshme barazinë e votës përmes një sistemi proporcional kombëtar ose një mazhoritari të korrektuar, rikthimin e koalicioneve, listat e hapura dhe votimin e numërimin elektronik. Sipas tij, “ligji aktual zgjedhor duhet të ndryshohet një herë e mirë, sepse edhe zgjedhjet e fundit nuk prodhuan një rezultat që përfaqëson realitetin politik shqiptar”.
Në përfundim, Shehi theksoi se të gjitha këto janë propozime të hapura për diskutim dhe negociim në muajt në vijim, por me vendosmërinë që sistemi aktual zgjedhor të ndryshohet rrënjësisht.
Fjala e plotë e kreut të LZHK, Dashamir Shehi
Të nderuar kolegë, miq, dashamirës, kontribuues në jetën publike shqiptare,
Sot LZHK, unë, dhe një grup organizatorësh, mbledhim këtë tryezë për të diskutuar për dy tema me shumë rëndësi për jetën politike.
Shqipëria siç po e shikoni, po jeton një nga periudhat më të vështira në raport me shtetin, me Kushtetutën, dhe me jetën publike. Korrupsioni është bërë i kudondodhur, pothuajse çdo ditë ka skandale që përfshijnë ekzekutivin në të gjithë nivelet, por dhe segmente të biznesit, të mediave, madje edhe të ndërkombëtarëve.
Prandaj, ne gjykojmë se rruga është e vështirë, por jo e pamundur.
Ne gjykojmë se forcat progresiste të gjitha së bashku, përtej ndryshimeve partiake e orientimeve ideologjike, mund të bashkohen për të prodhuar një projekt të ri politik, i cili mbështet çdo formë proteste, rezitence e demostrimi kundër këtij regjimi që është ngritur.
Megjithatë, përtej kësaj, duhet të rikthejmë politikën në fushë betejë, që do të thotë se duhet të merremi detyrimisht me reformat e mëdha, siç është reforma Kushtetuese, Reforma Territoriale dhe Reforma Zgjedhore.
Ne sot propozojmë për t’u debatuar dy nga këto probleme: Reformën administrative dhe ligjin për zgjedhjet lokale si pikë të parë.
Zgjedhjet administrative janë më të afërta, dhe do të ishte absurde nëse ndryshimet për ndarjen administrative do të bëheshin pas zgjedhjeve. Ne themi se kjo është një urgjencë e cila duhet realizuar para zgjedhjeve, që pastaj zgjedhjet lokale të bëhen me ndarjen e re administrative.
Reforma e vitit 2015, që fatkeqësisht u braktis dhe nga opozita, tregoi që nuk i përgjigjet realitetit shqiptar. I tregoi të gjitha dobësitë e veta: rriti shpenzimet administrative, mungesë efiçence në administrim, mungesë përfaqësimi nga ana demokratike.
Ne do të shtyjmë me të gjitha mundësitë tona drejt riorganizimit të territorit në një ndarje të re që t’i përgjigjet realitetit dhe kohës, t’i japi përfaqësim të gjithë qytetarëve pavarësisht se ku jetojnë, dhe të çlirojë të gjitha energjitë pozitive që i jep pushteti lokal, nëse ka kompetencat dhe fondet e mjaftueshme.
Gjithsesi kjo është një temë për të cilën ia vlen të mblidhemi sërish për ta diskutuar më në detaje.
Për sa i përket ligjit zgjedhor me të cilin sot votohet për pushtetet lokale, ne mendojmë të bëhen këto ndryshime:
1. Zgjedhjet të quhen të vlefshme vetëm nëse kanë votuar 50 përqind e votuesve rezidentë në zonat që votohet.
2. Votimi të jetë me dy raunde. Kjo për t’i dhënë mundësi që Kryetari i Bashkisë të përfaqësojë 50 plus 1 të qytetarëve të zonës. Si edhe për t’i dhënë mundësi të gjithave forcave kontribuuese, që të jenë në lojën politike në raundin e pare, pa pasur paragjykimet që ekzistojnë sot që kjo parti e vogël, ose ky kandidat i pavarur i prish punë grupeve të mëdha politikë që kanë monopolizuar jetën politike dhe rikatojnë të gjithë alternativat e ndryshme të reja progresiste që janë e vetmja shpresë për të ndryshuar realitetin që është sot. Kjo është plotësisht e mundur dhe modeli i Kosovës i zgjedhjeve të fundit, na e vërtetoi këtë.
Reforma Zgjedhore
1. Barazia e votës, nëpërmjet një sistemi proporcional kombëtar ose rikthimin e sistemit të mëparshëm mazhoritar i korrektuar me proporcional.
2. Kthimin e koalicioneve.
3. Lista të hapura në sistemin proporcional kombëtar.
4. Votim dhe numërim elektronik.
Gjithsesi, të gjitha këto pika, janë vetëm një propozim i hapur për diskutim, për negociim, për përmirësim, në muajt e ardhshëm.
Jemi absolutisht të hapur në këtë pike, por e rëndësishme është që ky ligj që është sot, të ndryshohet plotësisht sepse edhe zgjedhjet e fundit, përtej abuzimeve, kontributit të ambienteve të errëta të Shqipërisë, prodhoi një rezultat që nuk përfaqëson realitetin politik shqiptar.
Prandaj, jemi të hapur për çdo diskutim, por me vendosmërinë që ky ligj shumë i keq të ndryshohet një herë e mirë.
Ju falenderojmë!
Lini një Përgjigje