TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Shtator 2024, 12:56

Komisioni Antikorrupsion, SHBA cakton ekspertët e saj dhe i tregon 'vijën e kuqe' Ramës: Institucionet nuk cënohen

Shkruar nga Pamfleti
Komisioni Antikorrupsion, SHBA cakton ekspertët e saj dhe i tregon
Rama dhe Xhafaj

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë caktuar misionet përkatëse të asistencës të cilat do të monitorojnë dhe asistojnë veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin që do të drejtohet nga ish ministri Fatmir Xhafaj.

Në një reagim në rrjetin social X, ambasada amerikane në Shqipëri ka dhënë disa detaje për pritshmëritë që ka SHBA nga ky komision.

“Si një partner i palëkundur i përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin “ad hoc” për qeverisjen e mirë, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Pritshmëritë tona janë që puna e komisionit të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente, të përputhet me Kushtetutën, të mbrojë pavarësinë e institucioneve dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Në krye të misionit të SHBA do të jetë drejtuesja e misionit të OPDAT, Mary Kate. Ndërsa në krye të misionit të Bashkimit Europian, do të jetë Agnes Bernhard, një emër i njohur për shqiptarët si ish drejtuese e misionit të EURALIUS, e cila punoi gjatë implementimit të reformës në drejtësi disa vite më parë.

Ekspertët ndërkombëtarë pritet që javën e ardhshme të bëhen pjesë e procesit duke ju bashkuar Grupit të ekspertëve shqiptar të nivelit të lartë, ku marrin pjesë ekspertë të shoqërisë civile, pedagogë të njohur të universitetit, ekspertë të institucioneve të pavarura dhe të organizatave të komunitetit të biznesit. Grupet e ekspertëve kanë filluar punën gjatë muajit gusht dhe janë në fazën e hartimit të analizës, skanimit të situatës aktuale bazuar ne gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të BE-së.

Me nismën e kryeministrit Edi Rama, parlamenti i Shqipërisë miratoi në Maj një rezolutë për krijimin e një Komisioni të ri të Posaçëm Antikorrupsion, por kritikët pretendojnë se ai ka të bëjë më shumë me krijimin e një strukture progagande sesa me goditjen e korrupsionit.

Komisioni shkaktoi habi në vend, ku shumë e kanë hedhur poshtë si një përpjekje të qeverisë së udhëhequr nga Partia Socialiste për t’u rietiketuar si një luftëtare kundër korrupsionit pasi një sërë ish-ministrash dhe deputetësh socialistë u akuzuan nga SPAK, për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Rama prezantoi fillimisht atë që njihet si “Rezoluta për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” në një takim të Partisë Socialiste në prill.

Kur rezoluta u miratua nga parlamenti më 27 maj, Rama u tha ligjvënësve se nisma “është e nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.

Në krye të komisionit u vendos ish drejtuesi i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj, teksa kryeministri Edi Rama e prezantoi si një nismë e cila nevojitet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Megjithëse, përbërja e komisionit të ri kërkon gjashtë anëtarë nga shumica parlamentare dhe pesë nga opozita, deri më tani këta të fundit kanë refuzuar t’i bashkohen. 

Lini një Përgjigje