
Involvimi i shërbimit sekret shqiptar dhe atij të Kosovës në këtë mesele, është mëse e rrezikshme…
Arrestimi i shqiptarit Liridon Rexhepi para pak ditësh në Stamboll, u shit nga shërbimi sekret turk si një operacion kundër një rrjeti të shërbimit izraelit Mossad.
Informacionet e dhëna në mediat zyrtare të Ankarasë ishin krejt të paqarta, pasi nuk kuptohej veprimtaria armiqësore kundër shtetit turk i Liridon Rexhepit, një shqiptar nga Kosova.
Sipas njoftimeve, ai po filmonte me dron një veprimtari të komunitetit palestinez, çka nuk është një vepër armiqsore.
Mediat e rëndësishme botërore, kanë publikuar një intervistë të dhënë për agjencinë amerikane Asociatet Press, të Aranit Koçit, avokatit të Rexhepit.
I cili deklaroi se nuk ka asnjë veprimtari antishtetërore të shqiptarit të arrestuar në rrethana krejt të dyshimta.
Avokati Koçi, tha se i dyshuari është i pafajshëm dhe ofroi bashkëpunimin e familjes në hetim.
I dyshuari, i identifikuar si Liridon Rexhepi, hyri në Turqi më 25 gusht dhe u arrestua të premten e kaluar.
Që nga janari, autoritetet turke kanë arrestuar dhjetëra persona me akuzën e mbledhjes së të dhënave për individë, kryesisht palestinezë që banojnë në Turqi, për inteligjencën izraelite.
Avokati Arianit Koci tha se familja e Rexhepit është “e tronditur nga ky arrestim” dhe e bindur se ai “nuk ka të bëjë fare me këto akuza”.
“Si familja dhe Liridoni janë të gatshëm të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet”, tha ai për Associated Press.
“Ne jemi të bindur se vëllai ynë është i pafajshëm sepse as ne si familje e as Liridoni nuk kemi qenë asnjëherë të përfshirë në pretendimet e lartpërmendura”, ka shkruar Koci në Facebook, duke sjellë një deklaratë të vellait të Liridonit.
Duket qartë se Ankaraja, për të mbajtur rolin e një kundërshtari të Izraelit, po prodhon armiq, në mënyrë që të hiqet si një mbështetës i thekur i palestinezëve. Por përveç propagandës, Turqia nuk është se ka treguar një vullnet real politik për të qenë përkrah palestinezëve, si para ashtu edhe pas shpërthimit të luftës së ashpër të Gaza-s, pas masakrës së 7 tetorit të shkuar nga ana e Hamas.
Fakt është që Ankaraja, prej vitesh tashmë është një territor ku janë strehuar për një kohë të gjatë krerë dhe operativë të organizatës terroriste Hamas. Madje Ismail Hanye, që u vra para pak kohësh nga Mossadi në Teheran, ka pasur edhe Turqinë si vend qëndrimi për kohën e shkuar.
Ndërkaq, në media arabe, kanë dalë shkrime, sipas të cilave Mossad-i izraelit ka një rrjet të gjerë në Turqi, ku ka vëzhguar dhe mbajtur nën kontroll operativët e Hamas prej viteve.
Kjo duket i ka djegur shumë Erdoganit, pasi dekonspirohet se bërtitjet e skërmitjet anti-Izrael i ka më shumë hipokrizi.
Ndaj dhe ka ndërmarrë operacione si rasti i Liridon Rexhepit. i cili sipas të gjitha gjasave nuk ka lidhje me izraelitët, përveçse ka qenë nxënës në shkollat e Gylenit. E duket, që pikërisht, luftën e brendshme politike, Erdogan kërkon ta mbulojë me spiunazh gjoja anti-sionist.
E sipas mediave turke, MIT, shërbimi sekret turk ka bashkëpunuar me shërbimet sekrete të Shqipërisë dhe Kosovës për të gjetur rrjetet izraelite.
E nëse kjo ka ndodhur kemi të bëjmë me një skandal të përmasave të mëdha, pasi Izraeli nuk është një shtet armik i Shqipërisë dhe i Kosovës. Përkundrazi, mes dy vendeve ka marrëdhënie të mira, ndaj bashkëpunimi me turqit kundër izraeliteve, tregon se shërbimi sekret shqiptar dhe ai i Kosovës janë kthyer në degë të MTI-së turke. Në krye të të cilit qëndronte deri para një viti ministri aktual i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, i cili është profiluar edhe si një pasardhës politik i Rexhep Taip Erdoganit.
Fidan, u vu në krye të diplomacisë turke, pikërisht për të sjellë përvojën e politizimit të shërbimit inteligjent në një mashë e vegël e pushtetit politik të Erdoganit.
Megjithatë, punët e Turqisë i di vendi vet, por involvimi i shërbimit sekret shqiptar dhe atij të Kosovës në këtë mesele, është mëse e rrezikshme.
Ndërkaq, Kosova nuk ka dhënë asnjë qëndrim për arrestimin e qytetarit të saj nga Turqia. Madje sot ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan mbërrin në Prishtinë, pikërisht për të afruar bashkëpunimin mes shërbimeve sekrete të dy vendeve. Fidan ka ndërmarrë një tur rajonal, duke vizituar edhe Shkupin.
Siç bën të ditur ‘Anadolu’, Kryediplomati turk pritet të vizitojë Prizrenin dhe Mamushën, zona me një popullsi të konsiderueshme turke dhe të takohet me Fikrim Damkën, kreun e Partisë Demokratike Turke të Kosovës dhe anëtarë të tjerë të komunitetit turk.
Shërbimi sekret shqiptar SHISH, gjatë historisë së tij ka pasur marrëdhënie të distancuara me MTI-në turke, edhe pse herë pas herë kanë shkëmbyer informacione.
Pas vitit 1997, MTI-ja turke mbajti pranë ish-kreun e SHISH-Bashkim Gazidede, si të mbrojturin e saj. Fatos Klosi e ka bërë të ditur këtë disa herë në intervistat e tij, kur theksoi se ata e mbanin Gazideden.
Mirëpo vitet e fundit, relacionet e shërbimeve inteligjente shqiptare dhe MTI janë fuqizuar më shumë, duke ndjekur ritmin e marrëdhënieve mes Edi Ramës dhe Rexhep Taip Erdogan.
Këtë e bëri të ditur Edi Rama, gjatë pritjes së parë që pati në Tiranë me Hakan Fidan, në cilësinë e ministrit të Jashtëm. Ky bashkëpunim duket se konsiston në shkëmbim informacioni dhe rikonjicion i gylenistëve dhe organizatave të tyre në Shqipëri. Sipas të gjitha gjasave ky bashkëpunim i shtuar nuk shihet me sy të mirë nga shërbimet partnere perëndimore./Pamfleti
Lini një Përgjigje