
Analisti Skënder Minxhozi tha se dosja për privatizimin e kompleksit Partizani është një dosje e rëndë për Berishën. Gjatë një interviste për “Real Story”, Minxhozi u shpreh se ky është një prej shembujve të shumtë se si Sali Berisha e ka përdorur shtetin për interesa personale.
“Kjo është një dosje shumë e rëndë e Berishës, por është një nga shembujt se si Berisha e ka përdorur shtetin krejtësisht sa herë që i është dashur për interesat e veta. Të kujtojmë se çfarë ka ndodhur në 21 janar dhe se si ai ka ndërtuar një kështjellë mbi rërë, teorinë e famshme të pucit për të mbuluar diellin në shoshë dhe për të mbuluar vrasjet, ka ngritur komision hetimor. Ngriti një fabul të madhe”, tha ai.
Ai theksoi se këto dosje duan vullnet për t’i gjykuar.
“Këtu ndodhemi përballë shumë dosjeve, e cila është një prej shumë dosjeve të pagjykuara dhe nëse ti ke vullnetin ta gjykosh një dosje akuza ka shumë gjasa të kthehet në një fajësi, sepse faji ekziston thjesht pse nuk është gjykuar”, u shpreh Minxhozi.
Minxhozi shtoi se kanë krijuar një lapsus juridik në raport me Berishën, për caktimin e masës së sigurisë. Sipas tij, kjo gjë mund të ishte evituar duke i drejtuar një kërkesë Kuvendit.
Lini një Përgjigje