
Kryeministri Edi Rama ka folur lidhur me Amnistinë Penale që pritet të votohet nesër në Kuvendin e Shqipërisë.
Ai tha se Partia Demokratike është keqkuptuar në lidhje me projektligjin për amnistinë penale teksa shtoi se ministri i Drejtësisë Ulsi Manja sqaroi keqkuptimin që kishte mbi kategoritë përfituese të projektligjit.
“Nuk jam në dijeni në këtë moment të agjendës nesër të parlamentit. Ju jeni të lirë mos ta besoni, por ne i kemi punët e ndara. Unë jam në Parlament, një deputet që ndjek çfarë është përgatitur. Nuk e di sesi është agjenda nesër. Di që është bërë një diskutim mbi një keqkuptim total që është krijuar, është adresuar menjëherë sot nga ministri i Drejtësisë”, tha Rama pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS.
Ndërsa i pyetur për deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha se nuk do të japë votat për ta kaluar Amnistinë Penale dhe nuk do të shkojë në Parlament, Rama e ironizoi duke thënë se ai ka qenë përgjumësh.
“Në cilën orë e ka thënë? Sa ishte ora? Se ka qenë akoma përgjumësh”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje