Opozita i referohet raporteve ndërkombëtare dhe rasteve konkrete, duke ngritur shqetësime për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe dobësi në verifikimin e integritetit
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kërkesë për interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, duke ngritur shqetësime për situatën në Policinë e Shtetit dhe ndikimin e korrupsionit në këtë institucion.
Sipas dokumentit zyrtar drejtuar Kryetarit të Kuvendit, kërkesa mbështetet në nenin 80 të Kushtetutës dhe nenin 97 të Rregullores së Kuvendit. Opozita i referohet gjetjeve të Raportit të Zgjerimit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025.
Në raport theksohet se, pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra, Policia e Shtetit mbetet “e ekspozuar ndaj korrupsionit”. Gjithashtu, sipas dokumentit, procesi i vlerësimit kalimtar dhe periodik i punonjësve të policisë, i njohur si “vetting policor”, si dhe verifikimi i integritetit, kanë pasur ndikim të kufizuar.
Raporti përmend edhe raste të dyshuara të intimidimit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, përfshirë gazetarë investigativë dhe gazetareve, ku sipas dokumentit, në disa raste janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë apo punonjës policie.
Grupi Parlamentar i PD-së e cilëson këtë situatë si shqetësuese, duke theksuar se edhe pas ndryshimeve ligjore dhe proceseve të verifikimit të integritetit, strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë të mbeten të cenueshme nga korrupsioni dhe ndikimi i aktorëve kriminalë.
Ndërkohë, sipas dokumentit të depozituar nga opozita, edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për narkotikët thekson rolin e grupeve kriminale shqiptare në tregjet ndërkombëtare të drogës dhe lidhjet e mundshme me struktura shtetërore.

Në kërkesë përmenden edhe zhvillime konkrete që, sipas opozitës, ilustrojnë problemin:
Hetimet e bazuara në komunikimet e aplikacionit Sky EÇ, të cilat kanë implikuar ish-zyrtarë të lartë policie;
Akuzat ndaj ish-drejtuesve si Oltion Bistri dhe Henerigert Mitri për rrjedhje informacioni dhe lehtësim të aktiviteteve kriminale;
Vrasja e Gilmand Dani pranë aeroportit të Rinasit dhe plagosja e një punonjësi të AMP-së, që sipas dokumentit ngre pikëpyetje mbi filtrat e sigurisë;
Arrestimi i dy efektivëve të policisë për falsifikim dokumentesh në lidhje me punësime në strukturat e mbikëqyrjes.
Gjithashtu, në dokument përmenden të dhëna sipas të cilave rreth 70 oficerë policie kanë qenë nën hetim për lidhje me krimin e organizuar deri në fund të vitit 2023, ndërsa numri i arrestimeve të efektivëve është rritur nga 102 raste në vitin 2023 në 163 në vitin 2024.
Sipas opozitës, këto zhvillime tregojnë për probleme strukturore në polici, përfshirë:
verifikime të pamjaftueshme të figurës së kandidatëve;
ndikim të individëve me pushtet në emërime;
ulje të standardeve në rekrutim;
ekzistencën e një “kulture heshtjeje” brenda institucioneve (faqe 4).
Dokumenti thekson se këto faktorë kanë dëmtuar ndjeshëm besimin e publikut tek Policia e Shtetit dhe kanë rritur rrezikun për sigurinë kombëtare.
Në kërkesë parashtrohen disa pyetje konkrete për ministrin, mes tyre:
Sa punonjës policie janë hetuar, arrestuar apo shkarkuar për lidhje me krimin gjatë viteve 2023–2026?
Cilat janë kriteret për emërimet në nivelet drejtuese?
A është kryer auditim për procedurat e emërimit dhe cilat janë rezultatet?
Çfarë masash janë marrë për të parandaluar infiltrimin e krimit në polici?
Sa raste dekonspirimi operacionesh janë evidentuar dhe si janë trajtuar?
Cilat janë rezultatet konkrete të procesit të verifikimit të integritetit? (faqe 5)
Deputetët e PD-së kërkojnë që interpelanca të zhvillohet në seancë plenare më të afërt dhe të përfshihet në rendin e ditës sa më parë.
Lini një Përgjigje