TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Shkurt 2026, 11:08

Gonzato i 'tërheq veshin' qeverisë: Transparencë për fondet 100 milionë euro për mirëqenien sociale

Shkruar nga Pamfleti
Gonzato i 'tërheq veshin' qeverisë: Transparencë
Ambasadori i BE, Silvio Gonzato

Në prezantimin e 14 shërbimeve të reja për fëmijët dhe nënat në nevojë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato ka deklaruar se Shqipëria është “mbajtur me hatër” nga Bashkimi Europian sa i takon mbështetjes financiare për mbrojtjen sociale, krahasuar me vendet e tjera të rajonit. 

Gonzato tha se vendi ka përfituar 100 milionë euro për projekte që lidhen me gjithëpërfshirjen sociale, punësimin dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Ambasadori i ka tërhequr vëmendjen qeverisë dhe institucioneve dhe kërkuar transparencë dhe llogaridhënie në administrimin e fondeve, duke theksuar se sistemet duhet të jenë të drejta dhe transparente.

Ai theksoi se shifrat janë të konsiderueshme, por vlera e tyre matet me ndikimin real në terren dhe me mënyrën se si menaxhohen fondet.

"Mbështetja e BE-së për mbrojtjen sociale në Shqipëri është ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Ne po investojmë më shumë se 100 milionë euro përmes projekteve për gjithëpërfshirjen sociale dhe punësimin. Gjithashtu, këto mbështeten edhe nga Plani i Rritjes së BE-së, përmes të cilit Shqipëria ka përfituar 100 milionë euro për të mbështetur zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Por shifrat nuk ndryshojnë jetë; është puna në terren ajo që e arrin këtë. Pra, mbështetja sociale në nivel komunitar që ofrohet, për shembull, për një fëmijë 5-vjeçar që merr të gjitha shërbimet e duhura, apo për nënat që marrin mbështetje për të gjetur punë, këto nuk janë thjesht shifra, por jetë të ndryshuara.

Ne punojmë me nivelin vendor dhe qeverinë për të pasur sisteme efektive, por edhe për të vendosur në qendër të tyre nevojat e qytetarëve. Kemi ndihmuar Ministrinë e Shëndetësisë për të krijuar standarde minimale të cilësisë dhe, së bashku me UNICEF-in, mbështesim financim të qëndrueshëm për shërbimet ndaj grupeve të cenueshme, duke ndihmuar kështu bashkitë që të ofrojnë shërbime sipas standardeve të BE-së.

Gjithashtu, kemi mbështetur 41 bashki për të hartuar planet e tyre vendore sociale, me qëllim që të përmirësojnë përgjigjet dhe reagimet ndaj nevojave të identifikuara. Janë arritur rezultate të mira dhe është e rëndësishme që Shqipëria të vijojë me këtë ritëm drejt anëtarësimit në BE, sepse reformat sjellin ndryshime dhe ndonjëherë individë të caktuar mund të preken prej tyre. Ndërkohë, ne duhet të sigurohemi që ata të ecin përpara me të njëjtin ritëm si pjesa tjetër e shoqërisë.

Këto nevoja në rritje tregojnë se ekziston vullnet politik për ndryshim, por duhet të sigurohen edhe financimi dhe burimet e duhura. Më lejoni t’ju paraqes disa rekomandime.

Së pari, duhet të vazhdojmë punën mbi bazën e arritjeve ekzistuese, që do të thotë kapitalizimi i investimeve të deritanishme dhe vijimësia e investimeve të BE-së, duke garantuar qëndrueshmëri në kohë.
Së dyti, në nivel qendror është thelbësore të fuqizohen më tej bashkitë, në mënyrë që të ofrohen më shumë shërbime sociale.

Kjo kërkon bashkëpunim të ngushtë mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore; në këtë drejtim, Reforma Territoriale mund të luajë një rol të rëndësishëm. Në nivel lokal, nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë me organizatat e shoqërisë civile.

Transparenca dhe llogaridhënia duhet të jenë në qendër të politikave, pasi ndërsa Shqipëria afrohet me BE-në, është e domosdoshme të ketë sisteme të drejta dhe transparente. Po ashtu, kërkohet një koordinim i ngushtë mes legjislacionit shqiptar dhe atij të BE-së", tha Gonzato. 

silvio gonzato ambasadori i be fondet per mireqenien sociale

Lini një Përgjigje