Florjan Binaj, kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, është bashkuar sot me protestën e aktivistit Adriatik Lapaj para Kryeministrisë.
Takimi mes tyre vjen në një kohë kur tensionet publike ndaj qeverisë janë shtuar pas një sërë skandalesh dhe akuzash për korrupsion institucional. Binaj përgëzoi Lapajn dhe njoftoi mbështetje të plotë për protestën, duke shtuar se do të jetë i pranishëm në të gjitha tubimet qytetare të paralajmëruara për ditët në vijim.
“Kur qytetarët heshtin, qeveria trimërohet dhe i shtyp me këmbën e pushtetit. Kur ngrihen në këmbë, qeveritë struken”, deklaroi Binaj. Ai theksoi se pjesëmarrja në protesta është detyrë bazë për çdo qytetar që nuk pranon të poshtërohet nga një sistem i korruptuar.
Binaj njoftoi se nesër do të marrë pjesë në protestën e thirrur nga Partia Mundësia përpara Këshillit të Mandateve, të shtunën do t’i bashkohet lëvizjes “Shqipëria Bëhet” dhe të hënën do të jetë në protestën e Partisë Demokratike më 22 dhjetor. “Është shumë mirë që qytetarët po reagojnë, por nuk është mirë që po protestojnë të ndarë. Duhet bashkim pa flamuj partie. Vetëm kështu ndalet kjo qeveri që nuk njeh kufi në abuzim”, u shpreh ai.
Florjan Binaj, i njohur për angazhimin e tij publik dhe kritikën ndaj pushtetit, e konsideron bashkimin e protestave qytetare një domosdoshmëri politike dhe morale. “Sot nuk ka më rëndësi kush e organizon protestën, por kush guxon të ngrihet për këtë vend. Unë do jem aty me të gjithë ata që nuk e pranojnë më këtë padrejtësi”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje